Albin Kurti ende pa një zgjidhje për të zgjedhur kryetarin e parlamentit
Deputetët kanë dështuar tetë herë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin.
Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit.
Në pesë nga gjashtë votimet për zgjedhjen e Albulena Haxhiut votuan vetëm 57 deputetë, teksa asaj i nevojiteshin të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur.
Haxhiu shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.
Siç ishte paraparë, takimi mes Albin Kurtit të LVV-së dhe Memli Krasniqit të PDK-së ka nisur në orën 8:30.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka thirrur në një takim liderët e dy prej partive më të mëdha parlamentare, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për konstituimin e vonuar të Kuvendit të Kosovës.
Derisa Krasniqi e pranoi ftesën, LDK-ja tha se nuk e pranon.
Kurti i ka ftuar ata në takim të përbashkët të enjten në orën 8:30, rreth dy orë para se të fillojë vazhdimi i nëntë i seancës konstituive të Kuvendit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.
Krasniqi tha se do të shkojë në takim me shpresën se Kurti do të ndryshojë qëndrim në lidhje me propozimin e kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se “ne nuk marrim pjesë në takim” dhe se kryetari Abdixhiku ndodhet jashtë vendit.
KOHA JONË SONDAZH

