Albin Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Berlinit në Tiranë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë në Procesin e Berlinit në Tiranë. Ky fakt konfirmohet për mediat nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Për këtë takim në Tiranë, kryeministri shqiptar Edi Rama kishte nisur një tur ballkanik në kuadër të përgatitjeve. Por, Kurti s’e kishte pritur homologun e tij për shkak se Rama kishte anuluar mbledhjen e dy qeverive pas tensioneve në veri të vendit. Takimin me Ramën për Procesin e Berlinit, Kurti e kishte kushtëzuar me mbledhjen e qeverive.
Samiti i Procesit të Berlinit mbahet më 16 tetor dhe për herë të parë në një vend të rajonit. Pjesëmarrës në këtë samit do të jetë edhe kancelari Olaf Scholz, presidenti i Francës Emmanuel Macron, si edhe presidentja e Komisionit Europian, Urusula von der Leyen.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e gjashtë vendeve në Bashkimin Europian. Ai filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel.