Albina Deda:Nëse duan Referendum, Rama ikën në shtëpi
Reforma në Drejtësi nuk mund të kalojë me referendum, pasi kjo situatë mund të prodhojë destabilitet e trazira. Kështu është shprehur deputetja e PD-së, Albina Deda në një prononcim për “Koha Jonë”, lidhur me pyetjen se nëse nuk arrihet konsensus mes palëve, është referendumi opsioni ideal për kalimin e reformës. Për këtë Deda thekson se:”Opsioni i mundshëm do të jetë largimi i Ramës dhe më tej krijimi i një qeverie teknike që përcakton rregullat për zgjedhje të lira e të ndershme”.
Më tej Deda shprehet se: “Jemi shumë pranë konsensusit por dhe aq larg duke ditur që Rama do me çdo kusht të kapë drejtësinë. Reforma në drejtësi ndodhet në një situatë paradoksi. Atë duhet ta votojnë 94 deputetë nga parlamenti i Shqipërisë. Paradoksi shfaqet edhe më i rëndë kur dëgjon propagandën pro reformë, që bëjnë ata të cilët drejtësia e reformuar duhet ti ndëshkojë duke filluar nga ideatori i oligarkisë Rama dhe vazhdon me individët me rekorde kriminale, trafikantë droge e prostitucioni, kusarët përfitues në kundërshtim me kushtetutën, të aseteve dhe fondeve publike, bizneset e mediat që kanë krijuar pasuri marramendëse, përmes privatizimeve antiligjore, privilegjimit në tenderët apo koncesionet publike, lejeve të ndërtimit, të paaftët, me diploma të blerëse, zhurmuesit dhe kukullat që sulmojnë çdo përfaqësues të ndershëm”.
”Kjo reformë nëse do të krijojë vërtet një sistem drejtësie ndëshkues për të gjithë”, nënvizon deputetja, por sipas saj oligarkët e pushtetit nuk mund ta votojnë vetë sepse janë ata që ndëshkon, dhe nuk kanë garanci që ndëshkimi s’bie mbi ta? “Prandaj edhe qëndrimi i Ramës është i qartë: ose ta kap drejtësinë ose nuk voton reformën”.
Për sa i përket kalimit të reformës nëpërmjet referendumit, Deda pohon se nuk mund të kalojë dhe opozita është gati ta votojmë draftin e plotë të Venecias, por kjo varet shprehet deputetja nëse Rama do të tërhiqet dhe do pranojë nenin 88. “Nëse Rama nuk e pranon ka gjasa që as në seancë mos të futet, por dhe nëse e fusin bashkë me Metën ( që mendoj se Meta nuk e fut në seancë) se nuk i kanë votat. Pra reforma do të bllokohet dhe do të shtyhet për një vit. Prandaj ka dy anë të medaljes: Reforma në drejtësi nuk duhet të votohet nga Rama dhe klientela e oligarkëve, kriminelëve, kusarëve, bizneseve, mediave, më pasuri të dyshimta”.
Ajo ka bërë thirrje që reforma duhet të votohet vetëm nga deputetët që e duan drejtësinë, që nuk tremben prej saj. “Të votohet nga ata që nuk kanë asgjë për të fshehur, janë të ndershëm, të aftë e me integritet të lartë”,- nënvizon Deda. Lidhur me këtë ajo shton se ky numër është i vogël në këtë kuvend. “Kjo situatë mund të prodhoj destabilitet e trazira, me pasoja sidomos po të kemi parasysh situatën e krijuar post-brexit. Opsioni i mundshëm do të jetë largimi i Ramës dhe më tej krijimi i një qeverie teknike që përcakton rregullat për zgjedhje të lira e të ndershme”,- ka deklaruar më tej deputetja Albina Deda.
R.Sh
KOHA JONË SONDAZH

