Aldo Bumçi akuzon kryeministrin maqedonas: Po zbaton modelin e Putinit

 

Situatës së tensionuar politike në Maqedoni i është kushtuar një seancë e posaçme dëgjimore në Komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme.

Arta Dade, kryetare e këtij komisioni, në pjesën e parë të mbledhjes me praninë e medias njoftoi se përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme, sekretari i Përgjithshëm Qirjako Qirko dhe Bashkim Rama, drejtor për Rajonin, ishin ftuar për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të komisionit për situatën shqetësuese në vendin fqinj dhe ngërçin e krijuar nga mosdekretimi prej Presidentit Nishani të ambasadorit tonë në Shkup.

Mbledhja ka vijuar pa praninë e medias. Në përfundim të saj, nënkryetari i komisionit Aldo Bumçi, me tone kritike dënoi atë çka është duke ndodhur në Maqedoni.

“Është shumë e qartë që kriza në Maqedoni nuk ka shkaqe etnike, por është një krizë e krijuar nga zbatimi i putinizmit. Një sistem autoritar që po zbatohet nga qeveria aktuale dhe kryeministri, i cili po kontrollon institucionet e pavarura, median, godet opozitën, dhe po zbaton modelin e Putinit në Maqedoni. Një shqetësim i ngritur nga Sekretari amerikan i Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë perëndimorë, për këtë rrezik të dobësimit të demokracisë në Europën Lindore dhe në Ballkan”, tha Bumçi, raporton TCH.

Ai akuzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme si shkaktaren e ngërçit në emërimin e ambasadorit të ri në Shkup, pasi sipas tij, tashmë ka vetëm ambasadorë politikë, gjë që e ka kundërshtuar Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

SHKARKO APP