”Aleanca për Dhurimin e Gjakut” në Sarandë, Meta: Mirënjohje për të huajt dhurues, po vlerësojnë mikpritjen tonë

Paçka se jemi në kohë pandemie dhe në kushte të vështira atmosferike, ”Aleanca për Dhurimin e Gjakut” vijon misionin nëpër Shqipëri. I pranishëm në Sarandë, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka falënderuar të huajt që jetojnë në vendin tonë, ku thotë se po japin një shembull të shkëlqyer solidariteti me kauzën humane të dhurimit të gjakut, ”duke ju ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë shqiptarë, si shprehje mirënjohjeje për mikpritjen tonë tradicionale”. ”U ndava me ta me urimin për t’u ritakuar në kohë më të mira, plot me diell dhe pa pandemi, pasi Saranda i ka të gjitha potencialet për të mirëpritur me dinjitet turistët vendas dhe të huaj. Si shprehje e dashurisë në veprim për njerëzit në nevojë, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut” do vijojë pa u ndalur misionin e saj fisnik, veçanërisht në këtë periudhë plot sfida për shëndetin publik”,-shkruan Meta në facebook.

Postimi i plotë nga Presidenti i Shqipërisë

Të huajt që jetojnë në Shqipëri, po japin një shembull të shkëlqyer solidariteti me kauzën humane të dhurimit të gjakut, duke ju ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë shqiptarë, si shprehje mirënjohjeje për mikpritjen tonë tradicionale.

I lumtur që në Sarandë, thirrjes së “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, ju përgjigjën jo vetëm qytetarët dhe të rinjtë e mrekullueshëm të këtij qyteti, por edhe shumë të huaj, të cilët me vullnetarizëm dhanë kontributin e tyre human, shumë të nevojshëm në këto momente kritike, për shkak të pandemisë, kur nevojat për gjak janë të mëdha.

U ndava me ta me urimin për t’u ritakuar në kohë më të mira, plot me diell dhe pa pandemi, pasi Saranda i ka të gjitha potencialet për të mirëpritur me dinjitet turistët vendas dhe të huaj. Si shprehje e dashurisë në veprim për njerëzit në nevojë, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut” do vijojë pa u ndalur misionin e saj fisnik, veçanërisht në këtë periudhë plot sfida për shëndetin publik.

SHKARKO APP