Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Referendumi, një hap i drejtë për popullin
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, thotë se shoqëria shqiptare nuk vendos më për asgjë. Ndaj dhe kjo aleancë mbështet qëndrimin e Presidentit Ilir Meta për referendum. Përmes një postimi në facebook, aleanca thotë se: “Lehtësimi i zhvillimit të referendumeve, qoftë edhe për çështje lokale si parqet apo godina publike si Teatri Kombëtar apo Stadiumi, janë të domosdoshme për të demokratizimin e vendit”.
Postimi i plotë
Rikthimi i të drejtës së popullit për të vendosur mbi çështje konkrete nëpërmjet referendumeve është një hap i drejtë, i nevojshëm, e që duhet të zgjerohet më tej. Sot shoqëria shqiptare nuk vendos për thuajse asgjë. Edhe përfaqësuesit tanë në Kuvend janë të zgjedhur nga lista të para-caktuara. Lehtësimi i zhvillimit të referendumeve, qoftë edhe për çështje lokale si parqet apo godina publike si Teatri Kombëtar apo Stadiumi, janë të domosdoshme për të demokratizimin e vendit. Është koha të zhbëjmë një herë e mirë ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.