Aleatët e opozitës kërkesë Bashës për lista të hapura
Kreu i PD-së, Basha gjatë takimin në selinë blu me aleatët e koalicionit të djathtë gjatë ditës së djeshme për sistemin zgjedhor që garanton votën e qytetarëve, nuk e ka pranuar sygjerimin e aleatëve për lista të hapura.
Gjana: Një sistem me lista të hapura
Gjatë takimit të djeshëm të PD me aleatët e saj për programin e reformës zgjedhore ku u deklaruan qëndrimet, i pyetur nga “Koha Jonë”, kreu i Partisë Lëvizja Legaliteti, Sulejman Gjana aleat me opozitën ka theksuar se mbështet platformën e PD-së por ka shtuar se së bashku me disa parti të kaolicionit janë për një sistem me lista të hapura dhe për një korrektim kombëtar.
Edhe pse PD ende nuk ka një vendim për pjesën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, Gjana së bashku me aleatët e tjerë është për lista të hapura. Gjana ndër të tjera zbulon idenë e një institucionalizimi të mundshëm të koalicionit të djathë, për një platformë të përbashkët.
“U vendos që të vazhdojmë bisedimet për arritjen e një platforme të përbashkët të tryezës opozitare për sa i përket reformës zgjedhore. Për ne, por edhe për shumicën e partive pjesëmarrëse në këtë tryezë, sistemi proporcional pa prag në rang kombëtar dhe me lista të hapura do të ishte idealja për qytetarët shqiptar pasi vullneti i tyre do të përfaqësohej realisht në institucionet e vendit. Në kushtet e sistemit aktual, listat e hapura dhe korrektimi kombëtar kanë po aq rëndësi sa votimi apo numërimi elektronik dhe çështjet e tjera që lidhen me një proces zgjedhor të ndershëm dhe me standarde demokratike. Në këtë tryezë biseduam edhe për institucionalizim e mundshëm të koalicionit të Djathtë nëpërmjet një platforme të përbashkët të opozitës, organizimin dhe funksionim e këtij koalicioni në të gjitha nivelet e strukturave të partive pjesëmarrëse”, është shprehur Gjana.
Roshi: Opozita e matur për rrëzimin e qeverisë
Rikonfirmoi qëndrimin në kampin opozitar edhe pse e ka kritikuar PD, kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi i kontaktuar nga “Koha Jonë” shprehet se opozita është në drejtimin e duhur e që lëviz drejt pushtetit e matur dhe me përgjegjësi për të ndryshuar epokën e varfërisë së kësaj qeverie si zgjatim i qeverisjes së etërve të tyre.
Për sa i përket reformës zgjedhore si pjesë e tryezës opozitare, Roshi ka theksuar se pritet që brenda këtyre javëve tryeza opozitare të mblidhet dhe do prezantojnë draftin për reformën zgjedhore. Më tej ai vlerëson çdo parti të vogël për seriozitetin e treguar për këtë reformë.
Si pjesë e koalicionit opozitar si do ta vlerësoni deri tani punën e grupit parlamentar të PD-së ?
Opozita ka kohë që ka rritur intensitetin e alternativës Opozitare. Sot kemi një Opozitë më të matur por më përballuese, më këmbëngulëse, më argumentuese. Opozita nuk pranon privilegjin që vjen thjesht nga keqqeverisja e sotme por kërkon ta fitojë atë me meritën e një alternative programore për Shqiptarët. Të gjithë dimë se kjo Qeveri qëndron në këmbë jo për shkak të shenjtorëve por për shkak të mëkateve të saj në lidhje me korrupsionin,me deformimet konçesionare,me prishjen e sistemit shëndetësor, me mungesën e investimeve për shkak të reformave anti-biznes etj. Pra kemi një Opozitë që lëviz drejt pushtetit e matur dhe me përgjegjësi për të ndryshuar epokën e varfërisë së kësaj qeverie si zgjatim i qeverisjes së etërve të tyre.
Cili është qëndrimi juaj si aleat i opozitës për reformën zgjedhore?
Është hera e parë që një reformë zgjedhore merret seriozisht dhe në përputhje me parimet nga një numër kaq i madh partish politike, por vlen të themi edhe nga një forcë kryesore politike si Partia Demokratike. Është hartuar një draft për ndryshime në kodin zgjedhor nga ekspertë për procesin të cilin do ta studiojmë çdo parti dhe brenda dy apo tre javësh do konvenojmë objeksionet tona brenda tryezës Opozitare. Për sa i përket sistemit zgjedhor kjo do të jetë diskutim i vazhdimësisë së tryezës. Vlen të përmendet serioziteti i çdo partie për të vendosur si prioritet opozitar Reformën Zgjedhore për garantimin e votës së lirë që është embrionale në ekuilibrat e një sistemi shoqëror demokratik.
Redjon Shtylla
KOHA JONË SONDAZH

