Aleatët e PD nuk marrin kompensim për zgjedhjet e 25 prillit. Gjobiten 106 parti politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot tre vendime që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 25 prillit. Vendimi i parë ka të bëjë me përcaktimin e vlerës në para të një vote, prej 85 lekësh.

Gjithashtu KQZ, nëpërmjet kreut të saj Ilirjan Cilibashi tregoi se nga fondi prej 130 mln lekësh, PS përfiton 48.6% të vlerës së buxhetit, PD merr 39.4%, LSI 6.8% dhe PSD 2.2%, ndërsa për partitë e tjera të përfshira në zgjedhjet e 25 prillit, nuk do të ketë kompensim financiar, pasi në vlerësimin e KQZ ato nuk kanë kaluar pragun e 1% të votave. Këtu përfshihen partitë aleatët e opozitës, që hynë në koalicion me PD.

Ndërsa vendimi i tretë i miratuar në KQZ ka të bëjë me vendosjen e gjobës prej 1 milion lekë për partitë politike që nuk kanë dorëzuar raporton vjetor financiar, 106 parti. Ndërsa për 4 parti politike u mor vendimi që të gjobiten me 50 mijë lekë që e kanë dorëzuar raportin jashtë afatit të përcaktuar.

Për të gjitha këto vendime, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se mund të ankimohet brenda 3 ditëve.

SHKARKO APP