Aleatët i kërkojnë PD-së 17 bashki
Afrimi i datës së zgjedhjeve vendore duket se ka shtuar presionin e partive të vogla të opozitës ndaj Partisë Demokratike.
Megjithëse ende nga Partia Demokratike nuk ka nisur asnjë negociatë me aleatët përsa i takon formulës së bashkëpunimit në këto zgjedhje, duket se 3 partitë opozitare PR, PDK dhe PDIU kanë parashtruar kërkesat e tyre në drejtim të selisë blu.
Burimet theksojnë se ndërsa mungojnë takimet mes drejtuesve të partive opozitare me kreun demokrat Lulzim Basha, kjo nuk mund të thuhet në raport me ish-Kryeministrin Sali Berisha, i cili duket se ka një ndikim më të madh mbi aleatët e PD-së sesa kreu aktual i saj.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka tha se në ditët në vijim do të vendoset me aleatët për të vendosur për kandidatë dhe për bashkitë ku do të jenë kandidatet e partive aleate.
Por burimet bëjnë të ditur se në tryezën e Bashës tashmë ndodhen 3 kërkesa të 3 partive opozitare parlamentare, të cilat i kërkojnë PD-së 17 njësi vendore për të kandiduar emrat e propozuar prej tyre. Republikanët dhe demokristianët kërkojnë nga 6 njësi vendore secila, ndërsa PDIU e Idrizit është treguar më e përmbajtur në kërkesën e saj, duke i kërkuar PD-së mbështetjen në 5 bashki.
Republikanët kërkojnë nga PD mbështetjen për kandidatin e propozuar prej saj në Durrës Agron Duka, por gjithashtu i kërkohet mbështetje edhe për bashkitë Vorë, Shijak, Pogradec, Selenicë dhe Kukës. Republikanët parashikojnë që në këtë garë tu ofrojnë PD kandidatura fituese në përballjet për zgjedhjet lokale.
PDK e Nard Ndokës synon ti kërkojë PD që të shkojë me kandidatë në Fushë Arrëz, Mirditë, Kurbin, Mallakastër dhe Sarandë e Lezhë. Në këtë të fundit PDK propozon Eduard Ndocaj, i cili në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së për qarkun e Lezhës.
Këto propozime demokristianët pritet ti parashtrojnë në takimin që kryetari Basha pritet të zhvillojë me aleatët gjatë javës së ardhshme. Ndërsa LZHK e Dashamir Shehit , ka shumë gjasa të mos kërkojë të ketë kandidatë të tij për bashki të ndryshme por do të përfaqësohet në pushtetin lokal në nivel këshilltarësh.
Ndërsa mbetet për tu parë se si do të shkojnë negociatat me PDIU e Shpëtim Idrizit, që kërkon përfaqësimin në këtë proces zgjedhor në të paktën 5 bashki të ndryshme. Kështu nga 61 bashki në të gjithë vendin partisë demokartike aleattë kërkojnë përfaqësimin në këtë garë në të paktën 16 bashki duke përfshirë edhe PDIU. /gj.k/
Bashkitë e kërkuara nga PR
Durrës
Vorë
Shijak
Pogradec
Selenicë
Kukës
Bashkitë e kërkuara nga PDK
Fushë Arrëz
Mirditë
Lezhë
Kurbin
Sarandë
Mallakastër
Bashkitë e kërkuara nga PDIU
Konispol
Patos
Rrogozhinë
Shijak
Peqin
KOHA JONË SONDAZH

