Alfred Lela i përgjigjet Edi Ramës për dhunën në protestë

Nga Alfred Lela

Kam qenë student i Gazetarisë, në mes të viteve ’90, kur Edi Ramës i dhanë një shqepje në dru. Në një situatë ende të paqartë. Ai pretendonte se ishin ‘leva politike’, nemesis-i i tij, Sali Berisha, asokohe President, edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i quajë ‘pyka erotike’.

Rrahjet e atëhershme nuk ishin si sot, që merrnin dhëne në kohë reale, dhe unë, bashkë me një shok, bij të vërtetë të atij shekulli, u nisëm për të takuar Fatos Lubonjën. Një angazhim që lidhej me shkollën. Trokitëm në derë dhe aty u dha Lubonja, shumë më i ri se sot, por me të njëjtën fandaksje, dje e mot. Pasi u prezantuam me drojë, autori i ‘Ridënimit’ rrotulloi sytë si të kishin orën e orbitimit dhe na bërtiti: shkoni shkruani për Edi Ramën. A e dini që kanë rrahur Edin. Çfarë studentësh Gazetarie jeni ju që nuk e dini këtë?!

Kthyem shpinat, bij të një pendese të atypëratyshme, sikur të kishim qenë ne levat mbi kokën e Ramës, i cili asokohe ishte çka sot përbuz: një publicist me lugë në brez, në buzë të kazanit të medias, ku sokëllinte sikur rrathëve të politikës të ulej e ngjitej dreqi, dhe ai të qe i dërguari për të na shpëtuar.

Shpinën më të butë se barkun, dreqin në bark, Doktorin në zemër, zemrën te ai muaj i pafat i janarit ‘91 kur kishte ardhur vonë te rrokullima e ngjarjeve (a nuk e thotë Cvajgu për Fushenë: kish bërë gabimin më të pafalshëm në politikë: kishte mbërritur vonë), mërgoi në Paris. Nuk di gjë për këtë periudhë të jetës së tij, se e ka kryesisht jopublike, dhe nuk dua të ha mjaltë, siç bën ai banak më banak e frigorifer më frigorifer, në një diarre që i buron nga anusi i kartelës psiqike, por disa dhoqina thonë se ‘magjepste’ Parisin; të tjera se netëve ëndërronte për magjepsjen që priste t’i shkaktonte ‘qytetit të dritave’, tek e zinte një gjumë klosharësh poshtë urave të Senës.

E shpëtoi babai duke i vdekur dhe Fatos Nano, ati i së majtës së re shqiptare, duke e ngritur nga varri. Po t’i besojmë të njohurve të tij të asohere, që kur filluan ta kuptonin nisën edhe ta përçmonin, si prej të vdekuri (Kostandini pra, Shqipëri, moj motër!) i kish edhe thonjtë: të gjatë dhe me dhe të zi.

Trupin e gjatë, gjuhën e gjatë, pallton e gjatë, thonjë e gjatë, ai u bë kthetër kiborgu në shpinën e Shqipërisë, së cilës nuk i ndahet në rrugëtimin upstream (përpjetrrjedhës) për të dalë prej delirit të vet. Si në mitin me shkabën që ngjit njeriun nga skëterra, ai nuk heq llokma nga vetja, por nga Shqipëria, kur doënstream-i (poshtërrjedha) e çon teposhtës.

Në një Tiranë me 100 vjet jetë urbane dhe me më pak se 100 ndërtesa me këtë moshë të artë, bash në centenialin e saj, ai varros një ndër to, katedralen laike të traditës dhe kulturës, Teatrin Kombëtar. E bën hajdutshe në 4.15 të mëngjesit. Për të shmangur përplasjen thotë. Përplasja megjithatë ndodh dhe kur ajo rrjedh gjak dhe dhunë sqaron se ‘policia po kalonte mbi gazetarët për të mbërritur te prishësit e rendit’. Pak orë pasi ka takuar ambasadoren e ShBA, në gjithëdijeni për vendin, kandidatin për president të të cilit e pat shpallur ‘turp të qytetërimit’, thotë se kështu u ndodh gazetarëve edhe në ShBA (duke e ditur ose e pritur që gazetari i dhunuar, shtetas amerikan, e ka depozituar ndërkohë ankesën në Ambasadë).

Instituti Ndërkombëtar i Shtypi (IPI) nuk mendon kështu, as organizma të tjerë europianë që kanë reaguar për rastin. Si ai nuk mendonin shumë të tjera as për Teatrin. Por i shpërfilli.

Pse e bën? A mos hakmarrja e atij që nuk është dhunuar asnjëherë për një ide apo parim dhe urren gjithkënd që bie në levat e dhunës, jo për ‘pyka erotike’? E shtyn kjo premisë hakmarrëse, që nga partia KIS e këtej, që nga nomadizmi e këtej, që nga kartela e këtej. Tej e përtej.

Cilat janë veprat e tij? I ktheu Shqipërisë eksodet biblike të ‘90-‘91. E bëri atdheun dordolec në fund të savanës së globalizmit, duke trembur çdo investitor të huaj. Në vend të shpresës euro-amerikane mbolli xhami turko-saudite dhe erdoganizmën. Keynesianizmi i tij në ekonomi përbëhet nga Rilindja urbane, përçartja se bukuria, stolisja e Krujës dhe Ersekës me pedonale, rrit mirëqenien. Rexhep Taipit i thotë ‘vëlla’ e Papës nxiton t’i dalë përpara si katolik. Ndërkohë katolikët e vendit të vet, persekutuar nga Enveri si kahmos e askush, bijve a nipave të votuesve të Fishtës e Gurakuqit, i poshtëron duke u dhënë si alternativë variante gege të Bonnie & Clyde.

Me karbon e letër në dorë, tek bën skica për Merkelin, rri e hedh romuze fik më fik e qif më qif, dhe me ta përgatit listat për deputetë. Në darkë, i lodhur nga vulgu, del piacës me rruzare në thile e shpall se është bir i Konicës dhe Nolit (a mos doni një listë me grupin parlamentar të peshkopit të mirë për të kuptuar Ramën?!).

I frymëzuar prej kso pisqollash intelektuale, gazetarët e dhunuar në një të dielë të Zotit dhe Shqipërisë i quan ‘trupa të shtrirë mbi të cilët policët do të kalojnë për të shkuar te ‘kriminelët’’. Ndërkohë OFL e tij dhe Heneralit të parë, Leshit rudë, kriminelëve të vërtetë u çon letra me bjonde barcaletash, ku u shkruan ‘gjeni vrimë e futuni se po vijnë bravoçunat që kanë bërë telef atë gazetarin’.

Këto mendova sot kur dëgjova Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, të përçartej në një intervistë dhënë Nisida Tufës, e cila këmbëngulte te dhuna kundër kolegut, sepse donte të ishte e ndershme me veten dhe publikun.

Por, jo Edi Rama. Ai nuk don të jetë kryeministri, por një kiborg që sot po e pagëzoj DORDOLEDI./Politiko.al

SHKARKO APP