Alibeaj: Berisha ka një qëndrim të njëjtë si Enver Hoxha me SHBA-në
Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj këtë të premte zhvilloi një takim me demokratë të Beratit, në mbështetje të kandidatëve për këshillin bashkiak. Në fjalën e tij, Alibeaj u bëri thirrje demokratëve të votojnë Partinë Demokratike për anëtarë të këshillit bashkiak. Po ashtu gjatë fjalës së tij, Alibeaj tha se Sali Berisha ka të njëjtin qëndrim si Enver Hoxha me SHBA.
”Ka qenë një bashkëpunëtor që e ftonin të merrte pjesë madje në ditëlindjet e familjes së ngushtë të Enver Hoxhës. Unë nuk kam fakte që librat ia ka shkruar Sali Berisha Enver Hoxhës. Enver Hoxha vetëm shkruante emrin në librat që ai botonte, por ama duke parë se çfarë flet dhe çfarë bën tani, kundër aleatëve tanë perëndimorë, kundër vlerave euro-atlantike, për mua nuk do të ishte e pamendueshme që “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” ta kishte shkruar edhe Sali Berisha në atë kohë.
Ajo se çfarë realisht Sali Berisha kërkonte të bënte në Shqipëri, ishte të krijonte një lëvizje antiamerikane. Për herë të parë në tre dekada demokraci dhe për herë të dytë pas Enver Hoxhës, në historinë e shtetit dhe të kombit shqiptar, fillonte kjo lëvizje.
Që prej shpalljes non grata nga SHBA-të, inkurajues i korrupsionit madhor dhe minues i demokracisë, Sali Berisha ka provuar të godasë Amerikën herë me shpatë të madhe, herë me biçak, herë me qitje të largët e herë me baltë”, tha ai. Po ashtu, Alibeaj foli për aleancën e Sali Berishës me Ilir Metën, ku akuzoi Berishën se futi demokratët në rrugë qorre duke i bashkuar me Metën.