Alibeaj kundër dorëheqjes së Bashës: I vetmi që mund të përballet me regjimin e Ramës

”Blerja e votës ka deligjitimuar procesin zgjedhor dhe gjithçka do të vendoset në bazë të përcaktimit të votës së shqiptarëve”. Këtë përgjigje dha kandidati fitues i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit, Enkelejd Alibeaj, kur u pyet për pranimin e rezultatit të zgjedhjeve.  Sipas tij, dimensioni i krimit elektoral është i paimagjinueshëm dhe tha se opozita do të vazhdojë betejën deri sa autorët e këtij krimi të marrin ndëshkimin që meritojnë.

“Dimensioni i krimit elektoral është i paimagjinueshëm, i gjithë krimi dhe paraja që janë hedhur në luftë, si mes një regjimi dhe qytetarëve. Jemi me një proces të dëmtuar dhe një rezultat jo legjitim, kjo është betejë me regjimin që ka kryer vetëm aktet e para të tij dhe ne do vazhdojmë. Hapi i parë testimi i sistemit të drejtësisë dhe agjencive që do duhet të ndërmarrin të qartësojnë dhe lexojnë votën e shqiptarëve dhe të ndëshkojnë autorët e krimeve elektorale. Është e papranueshme nga kushdo jo vetëm nga ne që shqiptarët të jetojmë në një vend që të ndjekin vitrinat seç ndodh me krimin zgjedhor. Stop! Sistemi i drejtësisë nuk ka funksionuar”,-tha në ”A2cnn”.

Sa i takon largimit të Bashës nga drejtimi i partisë Demokratike, Alibeaj u shpreh kundër dorëheqjes së tij, me argumentin se ai është i vetmi që mund të përballet me regjimin e Ramës.

“Nuk po kërkohet nga ata demokratë se deri dje nuk i pashë të ishin krah 620 mijë demokratëve që bënë që të vinte ky lloj rezultati. Kjo është një betejë. Sot i vetmi që është më shumë i interesuar që ta heqë nga përballja që ka është Edi Rama. I vetmi i cili mund të përballet me regjimin është Lulzim Basha. Shqiptarët nuk e kanë votuar Ramën, por i ka blerë, ishin 620 mijë shqiptarë që i rezistuan blerjes presionit sepse besuan te ndryshimi dhe te Basha”.

SHKARKO APP