Alibeaj pret në takim Haradinajn, takimi në Kuvend e jo në PD. Mungojnë deputetët e Komisionit të Rithemelimit
Kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj këtë të martë ka zhvilluar një takim me kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn, dhe takimi është zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit dhe jo në selinë blu. Vihet re edhe se pranë tij nuk janë deputetët e Komisionit të Rithemelimit, edhe pse Gjykata e Tiranës i njeh ata si PD-ja e vërtetë.
Postimi i plotë
Kënaqësi të mirëprisnim në një takim vëllazëror kolegët e grupit parlamentar të Partisë për Ardhmërinë e Kosovës, kryesuar nga kryetari Ramush Haradinaj.
Në bisedën e përfaqësuesve të dy grupeve tona u vlerësua bashkëpunimi miqësor mes dy parlamenteve dhe veçanërisht marrëdhëniet e ngushta mes grupit të PD dhe AAK.
Ndamë sëbashku nevojën e forcimit të këtyre marrëdhënieve si dhe fokusimin e gjithë axhendës së përbashkët për të çuar në njohjen finale të pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet.
Gjithashtu në bisedë u vu theksi tek nevoja e përbashkët për të ruajtur qartësisht rrugën e integrimit euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës.