Alibeaj: SHBA ka marrë shumë vendime pro Shqipërisë, ta pranojmë edhe atë ndaj Berishës
Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka folur për shpalljen ”non-grata” të Sali Berishës nga SHBA-ja, nga ku thotë se ky vendim duhej pranuar ashtu siç kemi pranuar Amerikën në periudhat më delikate të historisë shqiptare në këto 30 vite.
“Këtë vlerësim e ka bërë DASH. Kur e thonë SHBA-ja, kjo është një çështje që çdolloj diskutimi për të shkuar më tej është e tepërt. Përgjigja që i ka hije një politikani shqiptar, sidomos të atyre që përfaqësojnë PD-në, të cilët i kanë pranuar SHBA-të ashtu siç janë; siç i pranuam në vitin 1992 kur erdhën në krahun tonë me Berishën, siç i pranuam në 1999, atëherë kur e gjithë bota ishte skeptike ndaj gjenocidit serb, ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ishin ata që vendosën veton, siç i pranuam në vitin 2007 kur erdhën dhe thanë: Kosova, shtet i pavarur; ashtu do të duhet t’i pranojmë edhe tani për vendime siç ndodhi edhe me rastin e zotit Berisha”.
Alibeaj shkoi edhe më tej, duke u shprehur se i njëjti qëndrim duhet të mbahet për Berishën ashtu siç është mbajtur edhe ndaj personave të tjerë të shpallur non grata në vendin tonë.
”Nëse ne kemi kërkuar për të gjithë ata që janë shpallur non grata të largohen nga parlamenti, por edhe nga politika, hije na ka të gjithëve për koherencë dhe për moralitet në politikë, të mbajmë të njëjtin qëndrim edhe ndaj Berishës”,-tha për ”A2cnn”.