Alibeaj shprehet i vendosur: Nuk lëviz nga karrigia e kryetarit, derisa të flasë Gjykata e Apelit

Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj mbetet i vendosur për të qëndruar në karrigen e kryedemokratit, kjo deri në një vendimmarrje nga Gjykata e Apelit lidhur me regjistrimin e statutit të Berishës, i dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit. Po ashtu kryetari nënvizoi edhe se Basha bëri aktin e vet, i mori të gjithë kusuret, ndaj kërkon që edhe Berisha të bëjë të njëjtën gjë.

”Vendimi i sotëm, nuk ndryshon asgjë rreth ekzistencës, relevancës së institucioneve të PD. Kur gjykata të flasë në fund pasi ne të bëjmë ankimin përkatës dhe bashkë me të dhe kallëzimin penal për shkeljet ligjore të pretenduara nga ana jonë institucionet e PD janë këto që janë. Unë jam në këtë karrige si një nga nënkryetarët e PD, kryetar i grupit parlamentar. E dini se dy nga kolegët e mi u tërhoqën nga posti i tyre.

Bashkimi kalon nga një akt i vetëm, një akt simetrik, siç ndodhi me Bashën duhet të ndodhë dhe me Berishën. Kërkesa është bërë disa herë. Të gjithë deputetët te kjo pikë kanë qenë të qartë. Ajo që konsiderohet si 9 shtatori i referohet faktit të qenit non grata bashkë me faktin tjetër se Berisha nuk ka qenë anëtar i grupit parlamentar të PD.

Secili deputet ka thënë se nuk lëviz. Konstituimi i grupit parlamentar të PD ka ndodhur seancën e parë të Parlamentit, në 10 shtator të 2021. Basha bëri aktin e vet, i mori të gjithë kusuret. Bashkimi ndodh me simetri logjike, morale nga pala tjetër, e personalizuar për zotin Berisha”.

SHKARKO APP