Alibeaj sulmon Topallin e Patozin

Enkelejd Alibeaj nuk i ka pritur mirë kritikat e disa deputetëve demokratë për humbjen e thellë të PD-së në zgjedhjet e 21 qershorit.

Duke folur në një intervistë për Mapo, ai thotë se Jozefina Topalli, Astrit Patozi apo çdo njeri tjetër që kritikon, duhet ta drejtojë gishtin nga vetja, jo nga Lulzim Basha.

Debatin e shoh të dobishëm. Por jo aq argumentet e përdorura në debat. Është shumë e virtytshme të deklarohesh pas çdo mossuksesi se arsyet duhen gjetur te vetja dhe se nga vetja duhet të fillojë korrigjimi.

E vetmja çështje që kërkon qartësi dhe sinqeritet është se çfarë kuptohet me “veten”. Unë jam me atë, që “veten” duhet ta shohësh në vetë të parë. E nëse e sheh sinqerisht kështu e jo vetëm sot por edhe dje, debati do të ishte plotësisht i shëndetshëm edhe në funksion të së nesërmes.

Kritikat duhet të jenë të mirëseardhura, qofshin këto edhe nga pozita soditëse. Ajo me të cilën nuk jam dakord asfare është fakti se duket sikur me “veten” kuptohet vetëm kryetari i partisë.

“Vetja” është e gjithë pjesa që artikulon linjat kryesore politike dhe të sjelljes në parti. Janë strukturat e larta të saj. “vetja” është e djeshmja, e sotmja dhe mundësisht dhe e ardhmja e sjelljes së këtyre strukturave.

Kryetari i partisë është ai që duhet në çdo rast të mbajë peshën më të madhe të përgjegjësisë, porse nuk mund të anashkalohet edhe fakti se në ç’masë ai dhe gjithë struktura është ndihmuar apo minimalisht nuk është penguar në rikrijimin e kushteve për të qenë përsëri të suksesshëm në zgjedhje.

Gjithsecili në strukturat e larta duhet të vlerësojë gjithnjë nga vetja e vet, nëse i është qasur me shpirt altruist kauzës së vet apo jo. Ky është parakushti i vetëm që legjitimon argumentin dhe shëndeti”, thotë Alibeaj.

Sipas tij, PD në zgjedhjet e 21 qershorit ka arritur një rezultat shumë të mirë dhe inkurajues.

MAPO

SHKARKO APP