Alibeaj thirri mbledhjen e grupit, reagon Luçiano Boçi: Je i shkarkuar nga Kuvendi i PD

Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat, Luçiano Boçi reagoi sot pas thirrjes së mbledhjes së grupit nga Enkelejd Alibeaj.

Boçi thotë se Alibeaj është i shkarkuar nga Kuvendi Kombëtar i demokratëve dhe s’mund të bëjë mbledhje grupi.

Reagimi i Luçiano Boçit

Lidhur me mbledhjen e grupit parlamentar, të thirrur sot nga zoti Alibeaj, në cilësinë e nënkryetarit të grupit deklaroj se ajo është nul.

Është nul për dy arsye:

Së pari:

Zoti Alibeaj ka tagrin e Ramës dhe të Ballës, por nuk ka tagrin e demokratëve te cilët e kanë shkarkuar atë në Kuvendin e datës 30 Prill.

Së dyti mbledhjen e grupit e thërret Kryesia e Grupit dhe jo një deputet, qoftë ai i njohur nga Rama si përfaqësues grupi.

Prandaj nga ky moment kërkoj në ditët në vazhdim thirrjen e mbledhjes së Kryesisë së Grupit, për të diskutuar e vendosur për mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Grupi parlamentar i PD nuk mund të mblidhet sa herë e kërkon e kur e kërkon Rama-Balla.

Ne nuk mund të shkojmë pas qerres së Ramës çfarëdolloj pamje të ketë ajo.

Këtu nuk bëhet fjalë për bojkot.

Koha e bojkotit dhe e pazareve ka perënduar.

Qëndrimin politik në raport me çështjen e zgjedhjes së Presidentit e vendos Këshilli Kombëtar, si organi më i lartë vendimarrës politik pas Kuvendit dhe e pasqyron në qëndrim Grupi Parlamentar.

Kjo është rruga statutore e funksionimit të Partisë Demokratike.

SHKARKO APP