Alibeaj: “TI” denoncoi me emër e mbiemër njerëzit që kanë blerë vota me krimin dhe kanë lehtësuar trafikun e drogës

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj deklaroi se askush në Shqipëri nuk beson më tek Edi Rama, pasi siç tha ai në konferencën e posaçme për shtyp, të gjithë e shohin si një politikan gënjeshtar, që për 7 vjet nuk bëri asgjë dhe nuk i mban premtimet. Duke komentuar raportin e fundit të “Transparency International” ku nënvizoihet korrupsioni galont nga qeveria “Rama”, Alibeaj deklaroi se ka ardhur koha që t’i thuhet “Mjaft” vjedhjes së Shqi[përisë, duke shtuar se qytetarët shqiptarë duan ndryshimin.

“Raporti i Transparency International ka hedhur dritë edhe mbi anën më të errët të qeverisë së Edi Ramës – lidhjet e tij me krimin për të mbajtur pushtetin dhe për ta përdorur atë kundra qytetarëve.

Në 7 vjet, Edi Rama nuk ka punuar për qytetarët. Ka punuar për veten dhe për organizata kriminale, të cilat e kanë ndihmuar të blejë vota, ndërsa qeveria e Edi Ramës u ka lehtësuar, fjala vjen, trafikun ndërkombëtar të drogës.

Raporti i Transprency International konfirmoi pikë për pikë gjithçka Partia Demokratike ka denoncuar gjatë këtyre viteve në opozitë.

Aty përmenden me emër dhe mbiemër njerëzit kryesorë që kanë blerë vota me krimin dhe kanë lehtësuar trafikun ndërkombëtar të drogës. Vangjush Dako, me të cilin Edi Rama mburret publikisht se e ka mik, dhe Saimir Tahiri, për të cilin Edi Rama ishte krenar gjatë kohës që ai drejtoi Ministrinë e Brendshme.

“Një shembull i klientelizmit politik paraqitet në rastin e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, anëtar i komitetit drejtues të Partisë Socialiste në atë kohë dhe përgjegjës për fushatën zgjedhore të Edi Ramës në Durrës gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 në Shqipëri. Dako bashkëpunoi me klanin kriminal Avdulaj në blerjen e votave dhe frikësimin e votuesve në këmbim të trajtimit të favorizuar në institucionet lokale.”. Këto nuk janë më deklarata të Partisë Demokratike. Është qëndrimi i Transparency International.

Gjithçka kanë bërë, korrupsioni, blerja e votave, lidhjet me krimin, trafiku i drogës ka patur një qëllim: mbajtjen e pushtetit dhe pasurimin e paligjshëm.

Kjo kapje e shtetit gjatë qeverisjes 7 vjeçare të Edi Ramës, siç pohohet edhe në nivelet më të larta të ekspertizës ndërkombëtare, po pasuron politikanët dhe rrjetet e tyre me kosto të rëndë të qytetarëve të zakonshëm.

Raporti flet për disa nga ministrat e qeverive të Edi Ramës në këto 7 vite. Saimir Tahirin dhe Damian Gjiknuri.

Të parin e përmend për lidhjet me grupin Kriminal të Habilajve dhe trafikimit ndërkombëtar të drogës gjatë 4 viteve të para të mandatit të Edi Ramës. Mëkëmbësin tjetër të Edi Ramës për çështjet e pazareve korruptive, Damian Gjiknuri, raporti e përmend si të akuzuar për aferën me CEZ, me të cilën i shkaktuan një dëm kolosal ekonomisë.

Me këtë rast, raporti vë në dukje atë që e quan “performancë të dobët të prokurorëve në rastin e Gjiknurit, për të cilin ka një padi për dëmin e shkaktuar prej 479 milionë eurosh me paktin që favorizonte CEZ-in.

Raporti ka disa lajme të këqija për qytetarët, për mënyrën sesi po qeverisen dhe si po abuzohen nga qeveria e tyre e dështuar. Por ai ka edhe një lajm të mirë.

Lajmi i mirë është se askush në Shqipëri nuk beson më tek Edi Rama dhe njerëzit e kanë kuptuar se është një kryeministër i dështuar. Këtë e treguan edhe demonstrate e rinisë ditët e fundit. Të gjithë e shohin si një politikan gënjeshtar, që për 7 vjet nuk bëri asgjë dhe nuk i mban premtimet.

Mjaft është mjaft! Qytetarët duan ndryshimin për të pasur një qeveri të ndershme, që i përfaqëson interesat e njerëzve dhe i mbron ato”, u shpreh ish-ligjvënësi demokrat, Enkelejd Alibeaj.

SHKARKO APP