Alibeaj: U arrit bashkëqeverisja, ju bashkon frika nga SPAK! Bardhi: Meqë jeni kaq parimorë, jepni dorëheqjen se ka të tjerë me më shumë vota
Në Kuvendin e Shqipërisë, vijon seanca plenare ku deputetët po japin qëndrimet e tyre për draftin e projektligjit të Kodit të ri Zgjedhor. Deputeti i pavarur, Enkelejd Alibeaj, thotë se PD me veprimet në Kodin Zgjedhor, i ka dhuruar Ramës mandatin e katërt qeverisës.
”Sot nuk ka më opozitë, është arritur bashkëqeverisja, dhe përsa kohë është ndarë pazari, e vetmja gjë mbetet ku do jem si deputet nesër. Po e bëj ndryshimin që të strukem te listat e fiskuara. Shqiptarët nuk kanë pse i votojnë se e kanë të sigurt, vetëm 40 do të quhen deputetë të shqiptarëve. Frika e vetme që kanë është SPAK, kjo i bashkon. Dhe tani plani i radhës është si t’i biem SPAK-ut. Damian, erdhe kërkove pazar, nuk e gjete. Jo vetëm po ricikloni tranzicioni 34-vjeçar, por po sillni edhe njëherë shkaktarët e skamjes, varfërisë, problemeve”,-tha Alibeaj.
Kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi i tha se meqë është parimor dhe dëshiron që ai që ka më shumë vota të vijë në Kuvend, të japë dorëheqjen se ka të tjerë që kanë më shumë vota se ca në këtë sallë.
”Edhe me sistemin mazhoritar, kush i propozon kandidatët, kryetari! Jepni ide e propozime se ne Kuvend ka ardhur vetëm një propozim. Alibeaj e pranon edhe vetë te propozimi se mund të ketë listë fiksuese deri në 1/3. 137 deputetë këtu janë produkt i listave të mbyllura, tre të tjerë kanë ardhur pasi thyen herësin. Jo më kot është ai model, se ata 40 do të jetë përcaktues i qeverisë”.