Alibeaj zbardh bisedën me Escobar në Tiranë: Nuk e fsheh fare, SHBA na mbështeti

Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka treguar më shumë për vizitën e zyrtarit të SHBA-së, Gabriel Escobar në Tiranë, teksa ka zbuluar edhe bisedën me të. Alibeaj deklaroi se marrëdhëniet e PD-së me SHBA-në janë speciale dhe se gjatë takimit të zhvilluar, Escobar në emër të SHBA-së, i dha nja mbështetje të pastër dhe të qartë Partisë Demokratike.

”Partinë e bëjnë bartësit e atyre vlerave mbi të cilat u themelua partia para 32 vitesh. Ishte një mbështetje e pastër dhe e qartë që SHBA i jep PD-së, demokratëve dhe shqiptarëve. Nuk e fsheh fare që mbështetja e tyre është impuls i fortë. Ky ishte thelbi i diskutimeve me Escobar, por edhe për zgjedhjet e 14 Majit.

I shpjegova refuzimin e mazhorancës për rekomandimet tona që kemi çuar në komision. I bëra me dije të gjitha shkeljet, jo vetëm morale e politike që kjo qeveri po bën. Shkelja sistematike e të dhënave personale me Aktivistin e famshëm, shantazhet dhe terrori në administratën publike që ka marrë urdhër për të bërë vota për qeverinë.

Rritjet e pagave e pensioneve, tenderët e pafundëm të kësaj qeverie që i ka lansuar tani. Të gjitha këto janë simptoma më e qartë e dukshme që kjo qeveri zgjedhjet i vjedh, i blen dhe shantazhon qytetarët. Procesi zgjedhor është proces i partive politike dhe i qytetarëve mbi të gjitha”, tha ai për ”News 24”.

SHKARKO APP