Ambasada e SHBA: BKH do veprojë njësoj si FBI-ja. Si do japin llogari bosët e krimit
Byroja Kombëtare e Hetimit do të hetojë njësoj si FBI-ja. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Ambasada Amerikane në Tiranë ka shpërndarë edhe një video ku udhëzon dhe informon qytetarët mbi rolin dhe detyrat e BKH-së dhe SPAK, që vijnë si institucione të reja për të luftuar korrupsionin në vend.
Në video tregohet se si do të funksionojë BKH. Sipas videos, BKH do të jetë si FBI amerikane.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, mësoni se si Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), njësia hetuese dhe një nga dy elementët e SPAK, do të veprojë në mënyrë të ngjashme me FBI-në amerikane dhe do të hetojë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Elementi i dytë i SPAK, Zyra e Prokurorit të Posaçëm ose SPO, do të çojë në gjykatë çështjet e hetuara nga SPAK. Kjo video tregon se si 4 milionë dollarë që Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë për BKH-në, do të përdoren në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për zhvillimin e sistemit etik, transparent dhe profesional të drejtësisë që qytetarët e saj meritojnë”, thuhet në shpjegimin e videos.