Ambasada e SHBA-Ramës: Qëndro larg nga gjuha që nuk të çon përpara
Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar sot lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet dhe qasjen që duhet të ketë BE ndaj anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
I pyetur nga "Zëri i Amerikës" se cili është qëndrimi i SHBA-ve, pas deklaratave të forta të Serbisë për komentet e kryeministrit Rama në intervistën me “Klan Kosova”, të cilat janë interpretuar se nënkuptojnë një bashkim të dëshiruar politik midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe duke pasur parasysh deklaratën e djeshme të Bashkimit Europian për këtë cështje, një zëdhënës i ambasadës u përgjigj:
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesin fort aspiratat për në BE, të të gjitha vendeve në Ballkanin Perendimor dhe mirëpresin riafirmimin nga BE se këto vende ndajnë një perspektivë të qartë europiane. SHBA besojnë se të gjitha vendet që punojnë për anëtarësim në BE duhet të qëndrojnë larg nga gjuha që nuk e çon përpara këtë synim të përbashkët dhe duhet të vazhdojnë të punojnë drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal. SHBA mirëpret garancitë që ka marrë nga qeveria e Shqipërisë se deklaratat në fjalë synonin vetëm të theksonin rëndësinë që ka integrimi në BE për shumë vende të Ballkanit".