Ambasadat kundër dhunës në Kuvend, Berisha: Popujt tuaj kur gjenden para një padrejtësie, japin përgjigjen e merituar
Ambasadat e huaja në Tiranë janë shprehur të shqetësuara për kaosin që PD-ja riktheu në sallën e Kuvendit, edhe me veprime si shkatërrimi dhe djegia e karrigeve. Sali Berisha ka reaguar pas qëndrimeve të forta, ku solli në vëmendje reagimet që bëjnë popujt e vendeve partnere të Shqipërisë, kur u cënohen të drejtat.
”PD ka respekt për partnerët ndërkombëtarë, por ka respekt edhe për popujt e vendeve partnere, të cilët sa herë gjenden përpara një padrejtësie, i japin përgjigjen e tyre të merituar cilitdo. Kjo është edhe përgjigjja ime.
Në qoftë se unë vërtet në fjalën time kërkova që të mos heshtin para dhunës politike që është forma më e egër e dhunës, përpara burgosjes së një njeriu, i cili edhe njëherë, nuk mbrojti vetëm interesat e shqiptarëve, por edhe të qytetarëve të BE, për aq sa është Italia një vend kryesor i BE.
Por, edhe për aq sa administrata e SHBA dhe vendeve të tjera është e interesuar për prerjen e lidhjeve të politikës me krimin dhe luftën kundër kriminalitetit. Natyrisht unë jam i vetëdijshëm për fuqinë e jashtëzakonshme korruptive, siç është faktuar, të kreut të narkoshtetit. Por prapë, interesat nuk mund t’i korruptojnë. Thirrja ime kishte të bënte me interesat e përbashkëta, me vlerat e përbashkëta që ne ndajmë me partnerët. Por secili përcakton qëndrimin e tij”, tha Berisha.