Ambasadori gjerman: Po pengohet Parlamenti! Opozita të ofrojë alternativat e saj
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner ka folur për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, si edhe kaosin e krijuar në Parlament nga opozita.
Në një deklaratë për mediat nga Korça, Bergner, sa i përket bllokimit të seancave parlamentare dhe Komisioneve nga ana e opozitës, u shpreh se: “Sinqerisht do të shpresoja të shihja shumë shpejt opozitë më të bashkuara që të luajnë rolin e tyre si kontrollues të qeverisë në një mënyrë më të mirë”.
Intervista e plotë:
Sipas mendimit tuaj, marrveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, a është bërë konsultim me BE në lidhje me emigrantët që do të vijnë?
Bergner: Mendoj se konsultimet po vazhdojnë. Ne kemi marrë dokumentet dhe memorandumin e mirëkuptimit pak ditë më parë dhe është pak herët për të dhënë komentet dhe mendimet e mia në lidhje me detajet. Por e di shumë mirë që si Shqipëria po ashtu dhe Italia kanë bërë çmos për të respektuar rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Situata në parlamentin Shqiptar është bërë pak e rrëmujshme. Si e shihni ju këtë?
Bergner: Sinqerisht do të shpresoja të shihja shumë shpejt opozita më të bashkuara që të luajnë rolin e tyre si kontrollues të qeverisë në një mënyrë më të mirë.
Mendoj se edhe qeveria mund të ndihmojë në respektimin e të drejtave, gjithashtu të ketë një balancim mes të drejtave të opozitës dhe të qeverisë.
Sali Berisha ka thënë se shumë shpejt do bëhen protesta të mëdha. A mendoni se është mirë për Shqipërinë?
Bergner: Mendoj se nëse gjërat çohen deri në protestë nuk do të shkojë mirë pasi gjithë përpjekjet duhet të shkojnë në formulimin e rregullave për qeverisjen.
Mendoj se duhet të bëjnë përpjekje për të ofruar propozimet e tyre.
Deri më tani shoh më shumë energji duke penguar parlamentin.
Por mendoj se ka mënyra të tjera më të drejta për të kundërshtuar diçka që është zgjedhur nga qeverisja.