Ambasadori i BE, takim me trupën e Gjykatës Kushtetuese
Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë ka zhvilluar një takim zyrtar me kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Shkëlqesinë e tij, Ambasadorin Silvio Gonzato. Duke e vënë theksin në rëndësinë që mbart realizimi me sukses i reformave, si dhe niveli i ndërveprimit me autoritetet publike, Ambasadori Gonzato shprehu vlerësimet e tij pozitive për veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, e cila që nga plotësimi i saj, në një kohë të shkurtër, ka dhënë dyfishin e vendimeve në krahasim me pak vite më parë, duke rritur kështu besimin te publiku.
”Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë reformën në drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese në ruajtjen e pavarësisë dhe eficiencës së saj. Hapja e negociatave për Shqipërinë që ka nisur me kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, është tregues se sa i rëndësishëm është roli i drejtësisë efektive dhe respektimi i të drejtave themelore në këtë fazë të re për Shqipërinë. Në këtë proces të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Gjykata Kushtetuese ka rol thelbësor, pasi garanton balancimin e pushteteve, verifikon respektimin e shtetit të së drejtës dhe jep drejtësi për qytetarët”. Gjithashtu, Ambasadori Gozato vuri në pah se marrja e Presidencës së CECC-së është një faktor shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse kjo do të mundësojë krijimin e një rrjeti me gjykatat evropiane që kanë kaluar më parë proceset integruese për njohjen dhe zbatimin e acquis communautaire.
Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj ndau me Ambasadorin disa prej arritjeve më të spikatura të Gjykatës Kushtetuese gjatë kësaj periudhe, si marrja e kryesisë së Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, duke e konsideruar këtë jo vetëm si një vlerësim të gjykatës sonë nga simotrat e saj evropiane, por edhe si një angazhim të shtetit shqiptar për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Trupa e gjyqtarëve u ndal gjithashtu edhe në përpjekjet e Gjykatës Kushtetuese për një gjykatë transparente dhe të qytetarëve, për të qenë e aksesueshme dhe funksionale në dhënien e drejtësisë kushtetuese për të gjithë. Nga ana e saj, Kryetarja Zacaj theksoi se “Shtimi i ankimeve kushtetuese individuale është tregues i rritjes së besimit të qytetarëve te kjo Gjykatë, sikundër edhe i rritjes së ndërgjegjësimit dhe kulturës juridike. Si gjykatë e të drejtave të njeriut, dhënia e drejtësisë kërkon respektimin e garancive procedurale për mbrojtjen e të drejtave themelore kushtetuese. Respektimi i këtyre garancive i jep kredibilitet drejtësisë dhe institucioneve të saj. Gjykata synon të japë mesazhin për qytetarët se ata nuk janë një palë më e dobët se sa shteti dhe se barazia përpara ligjit mbetet themeli i një drejtësie të drejtë”.
Në vijim, gjyqtarët kushtetues evidentuan rëndësinë e dialogut ndërinstitucional, sfidat me të cilat po përballet sot sistemi i drejtësisë në Shqipëri, si dhe përpjekjet e vazhdueshme që duhet të bëhen për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit profesional, forcimin e njohurive dhe përshtatjen me zhvillimet e reja për integrimin e vendit tonë në BE.
KOHA JONË SONDAZH

