Ambasadori i Kinës: Ne kurrë nuk i harrojmë miqtë e vjetër
Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati dhe ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, Ye Hao, konfirmuan sot se marrëdhëniet dypalëshe mes të dy vendeve do të intensifikohen me ritme edhe më të shpejta. Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, u zhvillua sot një Konferencë solemne me rastin e 65 vjetorit të nënshkrimit të marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës. Këto marrëdhënie kanë nisur në nëntorin e vitit 1949 dhe kanë qenë pozitive në pjesën më të madhe të kësaj periudhe 65 vjeçare. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, tha se “Shkëlqimi i parë e marrëdhënieve mes nesh dhe Kinës ka qenë në vitin 1963 kur Shqëipëria i kërkoi zyrtarisht Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të njohë dhe anëtarësojë Kinën si anëtare të saj. Çka u konkretizua në nëntorin e atij viti. Këto marrëdhënie morën forcim të mëtejshëm kur pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik të asaj kohë, shkëmbimet tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës patën periudhën e tyre të lulëzimit”, theksoi Bushati, i cili më tej shtoi se këto marrëdhënie patën një ftohje në fund të viteve 70 të shekullit të shkuar por që u ripërmirësuan pas viteve 90 teksa Shqipëria tashmë kishte shikimin drejt Perëndimit.
“Bashkimi Europian dhe Kina përbëjnë për Shqipërinë dy aspekte përplotësuese të njëri-tjetrit, sidomos në fushën e ekonomisë. Në këtë kontekst, iniciativa e fundit e bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, ka hapur perspektiva konkrete në fushën e infrastrukturës, bujqësisë, turizmit dhe kulturës”.
Bushati shprehu nevojën për krijimin e një platforme solide bashkëpunimi në të ardhmen dhe kjo sipas tij, nënkupton që tregjet tona të shndërrohen në tregje për investimet kineze. Aktualisht, Kina është partneri i dytë tregtar pas BE-së, me 6% qind të totalit të vëllimit, ndërsa eksportet shqiptare drejt Kinës po rriten ndjeshëm. Ne, tha ministri i Jashtëm, na duhet të garantojmë një klimë sa më të përshtatshme për investimet kineze, sidomos në fusha me interes si energjia, burimet minerare, turizmi, etj. Bushati theksoi se kremtimi i 65-vjetorit të marrëdhënive diplomatike mes dy vendeve dëshmon dhe jetëgjatësinë e miqësisë sonë, që nuk është e kushtëzuar por e bazuar në mirëkuptim. Viti ’78, vijoi ai, tregoi se ishte Teng Hsiao Pingu ai që me politikën e dyerve të hapura tregoi se sa i rëndësishëm ishte reformimi i shoqërisë kineze. Por, fatkeqësisht, Shqipëria nuk arriti ta kuptonte rëndësinë e reformimit dhe vijoi kokëfortë rrugën e saj të izolimit. Kaluan dhe 12 vjet të tjera para se të fillonim transformimin rrënjësor dhe të pakthyeshëm të shoqërisë sonë, u shpreh Bushati. Sot, pas 25 vjetësh, ne e kuptojmë mirë se sa e vështirë është rruga e transformimit demokratik, por dhe se ajo është e vetmja rrugë për të ndërtuar një jetë më të mirë për qytetarët tanë, shtoi shefi i diplomacisë shqiptare. Duke vënë në dukje rritjen impresionuese ekonomike, të cilën Kina ka arritur ta ruajë, pavarësisht krizave të rënda që po kalon ekonomia botërore, Bushati tha se kjo tregon fuqinë dhe rolin e saj të patjetërsueshëm në ekonominë globale. “Brenda një periudhe të shkurtër kohe Kina arriti të bëhej ekonomia e dytë në botë, me një rritje mesatare vjetore prej afro 10%. Që nga vit ‘78, kur filloi politika e dyerve të hapura mbi 500 milion kinezë kanë arritur të dalin nga varfëria. Stabiliteti dhe rritja e saj konstante ekonomike kanë ofruar jo vetëm një ndihmesë të pazëvendësueshme, por dhe një frymëmarrje për ekonominë globale, e cila ende vuan nga pasojat e krizës financiare”, u shpreh ministri. Në fjalën e tij. Bushati theksoi se ndonëse jo në lartësinë e Kinës edhe Shqipëria sot në shumë tregues ka njohur transformime të thella gjatë çerekshekullit të fundit. “Ne sot jemi vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE dhe po ashtu falë stabilitetit dhe politikës së jashtme në rajon, marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë po marrin një dimension të ri, i cili duhet të shfrytëzohet dhe më shumë”, u shpreh ministri i Jashtëm shqiptar në ceremoninë e zhvilluar sot në MPJ me rastin e 65-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë.
Ndërkaq, ambasadori i Republikës Popullore të Kinës Ye Hao, theksoi se “pema e miqësisë mes Shqipërisë dhe Kinës do të jetë gjithnjë e gjelbëruar”. Në fjalën e tij në këtë konferencë, ambasadori Ye Hao e ndau marrëdhënien mes dy vendeve në pesë periudha. “Periudha e parë ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis ambasadave, pjesa e dytë ishte kur Shqipëria prishi marrëdhëniet me BS dhe iu afrua më shumë RP të Kinës, faza e tretë ishte kur Shqipëria nuk arriti të kuptonte rivendosjen e marrëdhënieve me SHBA-në pas vizitës së Niksonit në Pekin, periudha e katërt ishte pas vitit 1985 kur nisi rinormalizimi i marrëdhënieve dhe periudha e 5 ishte pas prillit 2012 që shënoi zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve”. Ambasadori Ye Hao theksoi se “Republika Popullore e Kinës gjatë 65 viteve të saj ka njohur shumë miq të rinj, por kurrë nuk do të harrojë miqtë e vjetër”. Ndërkaq, Ministri shqiptar i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë gjithnjë në rritje dhe falë kësaj marrëdhënie, Shqipëria po kthehet në një hallkë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Me rastin e 65 vjetorin e marrëdhënieve, Shqipëri- Kinë, Posta Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë emetuar një pullë postare në pamjen e së cilës duket qendra e Tiranës e fotografuar nga sateliti i parë i hedhur nga Kina në hapësirë