Ambasadori i OSBE në Elbasan: Të hetohen incidentet zgjedhore

Ambasadori i OSBE-së, Vincenzo Del Monaco gjatë një vizite në Elbasan, ka kërkuar që të gjitha incidentet zgjedhore që u shfaqën si para zgjedhjeve dhe gjatë tyre të hetohen nga prokuroria dhe gjykata të jap një vendim sa më të shpejtë.

“Mendoj se të gjithë e kemi lexuar raportin e ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it. Kur flasim për ankesat për procesin zgjedhor dhe ngjarjet kriminale që ndodhën gjatë procesit zgjedhor nuk më takon mua të gjykoj. Unë kam plotësisht besim tek autoritetet gjyqësore shqiptare. Siç ju kujtohet, ditën pas vrasjes në Elbasan, përpara zgjedhjeve, ne bëmë një deklaratë shumë të qartë dhe kemi besim te një hetim i shpejtë dhe se gjyqësori do të bëjë atë që duhet bërë. Kështu funksionon në demokraci. Pasi mora pjesë në trajnimin që OSBE-ja iu ofroi në prag të zgjedhjeve për ta përgatitur më mirë Policinë e Shtetit në garantimin e sigurisë pranë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë saj. Ne u ofruam trajnim më shumë se 6 mijë punonjësve të policisë. Mesazhi që unë jap ka të bëjë me besimin, me besimin institucional: besoni tek institucionet”, tha Del Monaco.

Po ashtu, Del Monaco tha se OSBE-ja do të ndihmojë në forcimin e shtetit të së drejtës, demokratizimit dhe proceseve zgjedhore në mënyrë që Shqipëria të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit.

”Ne jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë. Po të lexoni mandatin që përfaqëson kushtetutën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, do të shihni se aty ka disa përparësi, duke filluar nga shteti i së drejtës, demokratizimi, proceset zgjedhore, të cilat ndihmojnë shumë në arritjen e përparësive strategjike kryesore të Shqipërisë. Ama pa ngatërruar rolet, pasi unë me shumë krenari përfaqësoj OSBE-në në këtë vend”,- deklaron Ambasadori i OSBE.

SHKARKO APP