Ambasadori i OSBE në Tiranë: Ka një dozë të shtuar dinamike, raporti për 25 prillin del shumë shpejt
Shefi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, nga Shkodra deklaroi të premten se shumë shpejt do të jetë gati raporti përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
“Ju thatë dy gjëra të drejta, që unë kam 6 muaj në Shqipëri dhe që në Shqipëri ka pasur zgjedhje. Vlerësimi i procesit zgjedhor bëhet nga bashkëpunëtorët tonë të ODIHR-it, e cila është zyra jonë për të drejtat e njeriut. Tashmë kemi publikuar një raport në shenjë demokracie dhe transparence dhe është i aksesueshëm nga të gjithë në rrjete. Po presim rezultatin përfundimtar, që uroj që shumë shpejt t’i prezantohet publikut dhe autoriteteve shqiptare. Por nuk kam një datë të saktë. Shpresoj që të ketë një mirëkuptim racional dhe jam në pritje të raportit përfundimtar nga kolegët e ODIHR-it para se të bëj komente të arsyeshme”, tha ambasadori i OSBE-së.
I pyetur se si i duket klima politike në Shqipëri, Del Monaco dha një përgjigje të shkurtër.
“Më duket se ka një dozë të shtuar dinamike dhe gjallërie”, theksoi nga Shkodra, Shefi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco.