Ambasadori i SHBA dhe Kryebashkiaku i Berlinit uron Erion Veliaj për zgjedhjen Kryetar Bashkie të Tiranës

 

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka marrë një mesazh urimi nga kryebashkiaku i Berlinit, Michael Müller, i cili shprehet shumë i kënaqur për vizitën që Veliaj pati së fundi në kryeqytetin gjerman, por edhe për zgjedhjen e tij në krye të bashkisë më të madhe të Shqipërisë.

“Në përmbushje të sfidave që ju presin, ju uroj shumë energji, durim në marrjen e vendimeve të duhura. Do të isha shumë i lumtur t’ju prisja sërish shpejt në Berlin”, shkruan kryebashkiaku Müller në letrën e tij.

Letra e kryebashkiakut të Berlinit vjen pas urimit të veçantë që ambasadori amerikan në Tiranë, Doland Lu, i bëri Veliajt pak ditë pas mbylljes së zgjedhjeve të 21 qershorit. Ambasadori Lu e uroi personalisht Veliajn për organizimin e një fushate elektorale pozitive, e cila u fokusua te çështjet që shqetësojnë qytetarët e Tiranës.

“Gjatë muajve të kaluar, ambasada jonë ka folur vazhdimisht për politikanë të korruptuar, që janë angazhuar në blerjen e votës dhe manipulimin e institucioneve demokratike. Përkundrazi, ju u përqendruat dhe i angazhuat votuesit mbi zgjidhjen e shumë çështjeve dhe problemeve që i shqetësojnë ata. Shpresoj që klima pozitive që sollët ju dhe Dr. Kosova, të jetë një shembull për politikanët në të ardhmen. Urime për fitoren tuaj. Jemi shumë të lumtur për bashkëpunimin me ju si Ministër dhe shpresojmë të punojmë me ju edhe si Kryebashkiak i këtij qyteti të mrekullueshëm”, shkruante ambasadori Lu.

SHKARKO APP