Ambasadori i SHBA takon Tahirin: Mbështetje për reformat
SHBA vlerësojnë përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër narkotikëve dhe garantuan sërish, mbështetjen e tyre në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Dje, Ambasadori amerikan Donald Lu është takuar me Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Sikurse njofton ambasada, z.Lu përgëzoi Ministrin për përpjekjet e tij si dhe të personelit të Ministrisë dhe Policisë së Shtetit në përpjekjet e qëndrueshme gjatë vitit të shkuar në luftën kundër narkotikëve.
Ambasadori Lu theksoi rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe e siguroi Ministrin për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Shqipërisë. Të dy ranë dakord se shpërbërja dhe eliminimi i ndikimit të krimit të organizuar në Shqipëri është jetike për të ardhmen demokratike të vendit.
Gjatë takimit, Ambasadori dhe Ministri Tahiri vlerësuan lidhjet e ngushta dhe të hershme midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Një nga prioritetet kryesore të Shteteve të Bashkuara, thuhej më tej në njoftimin e ambasadës së SHBA, është mbështetja për reformat dhe politikat që rrisin integrimin e Shqipërisë në institucionet europiane dhe euro-atlantike, dhe Ambasadori e siguroi Ministrin për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara nëpërmjet ndihmës për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit, që ato të japin kontributin e tyre maksimal për këtë qëllim.