Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha: Bucha është një varrezë e hapur, fytyra e agresionit rus

I dërguari i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha tha në fjalën e tij se Bucha është kthyer në një varrezë të hapur, dhe se ato pamje janë fytyra e vërtetë e agresionit rus. Po ashtu ai tha se ushtria ruse dhe komandantët e saj nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë.

”Imazhe të civilëve të ekzekutuar me një plumb në qafë, ndonjëherë me duart e lidhura pas shpine, ose të vrarë me biçikleta, imazhe të varrezave masive të tejmbushura me kufoma. Imazhet e masakrës dhe shkatërrimit, duke përfshirë shtëpitë e grabitura, akte që zakonisht i atribuohen banditëve, jo ushtarëve.

Ato burojnë nga të njëjtat impulse mizore si bombardimet e qyteteve, shtëpive, spitaleve, shkollave dhe kopshteve nga forcat ruse. Bucha është një varrezë e hapur, fytyra famëkeqe e agresionit rus. 

Rusia ka një detyrim ligjor ndërkombëtar të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare, ligjet e luftës, duke përfshirë Konventat e Gjenevës të vitit 1949, Protokollin e Parë Shtesë. Rusia ka detyrimin t’i përmbahet urdhrit të GJND-së për të ndaluar menjëherë aktivitetin e saj ushtarak në Ukrainë.

Për fat të keq, Rusia ka bërë një zgjedhje tjetër, të mos respektojë asnjë prej tyre dhe është anuluar nga e drejta ndërkombëtare. Por ligji do ta ndjekë. Ushtria ruse dhe komandantët e saj nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë”, tha Hoxha.

SHKARKO APP