Ambasadori rus në Tiranë:Rusia nuk do sulmojë Turqinë

 

 

1. Zoti Ambasador, e gjithë vëmendja ndërkombëtare është fokusuar te incidenti i rrezimit të avionit luftarak rus nga Turqia. Ankaraja thotë se keni shkelur hapësirën e saj ajrore dhe madje pilotët rusë janë paralajmëruar që të largohen. Moska deklaron të kundërtën. Si Ambasador i Rusisë, a mund të na bëni të qartë qëndrimin e Moskës për këtë çështje?

Swiss Digital Desktop Reklama

Siç dihet, versioni i Turqisë për këtë ngjarje është se një avion me përkatësi të panjohur shtetërore ka shkelur hapësirën ajrore turke dhe pas disa paralajmërimeve është rrezuar. Në fakt këto pohime ngjallin dyshime të mëdha.

Swiss Digital Mobile Reklama

Së pari, është shumë e çuditshme që në kohët tona një vend-anëtar i NATO-s i pajisur me të gjitha mjete bashkëkohore të vëzhgimit dhe të lajmërimit nuk ka arritur ta identifikojë avionin në fjalë.

Së dyti, lëshimi i një rakete ndaj avionit rus SU-24 ka ndodhur në qiellin sirian, dhe vendi i rënies së bombarduesit tonë është po në territorin e Sirisë, katër kilometra larg kufirit turk. Këto janë fakte të qarta dhe të pakundërshtueshme. Sipas të dhënave të kontrollit objektiv, avioni ynë nuk e kishte kaluar kufirin turk. Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e Forcave Kundërajrore të Sirisë. Madje, radarët e aeroportit "Khmeimim" e kanë regjistruar shkeljen e hapësirës ajrore siriane nga aeroplani gjuajtës të Forcave Ajrore të Turqisë.

Së treti, pala turke nuk ka bërë asnjë përpjekje për të folur apo për të siguruar një kontakt vizual me ekuipazhin tonë. Dhe piloti i mbijetuar rus e ka konfirmuar këtë informacion.

Pra, veprimet e palës turke Moska i konsideron si një shpërfillje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe si një shkelje të drejtpërdrejtë të Memorandumit Rusi-SHBA për parandalimin e incidenteve dhe sigurinë e fluturimeve në Siri, dokument ky që vlen për të gjithë pjesëtarët e koalicionit perëndimor, përfshirë këtu edhe Turqinë.

Do të doja t’ju kujtoja për një incident të ndodhur në vitin 2012, kur Forcat Ajrore siriane rrezuan një avion turk me pretekst se kishte shkelur hapësirën ajrore të Sirisë. Zoti Erdogan gjatë fjalës së tij në parlamentin turk deklaroi atëherë se një ndërhyrje kohëshkurtër në hapësirën ajrore të një shteti tjetër nuk mund të justifikojë përdorimin e forcës. Dhe këtu lind një pyetje: po pse kësaj radhe presidenti turk ka hequr dorë nga parimet e tij?

Pala ruse nuk ka arsye për ta cilësuar aksionin e forcave të armatosura turke si një gabim të rastësishëm. Kjo, pa dyshim, ka qenë një provokim i parapërgatitur. Për këtë dëshmojnë shumë fakte: për shembull, video e parë e sulmit ndaj avionit tonë u publikua në internet aq shpjet sa një orë e gjysmë pas incidentit. Domethënë terroristët ishin njoftuar paraprakisht për goditjen e planifikuar të avionit rus.

Turqinë gjithmonë e kemi parë si një vend mik, ndaj nuk e prisnim një pabesi të tillë nga ana e saj. Siç tha Presidenti rus Vladimir Putin, kjo nuk është asgjë tjetër veçse një thikë pas shpine. Është për të ardhur keq që niveli i paparë i marrëdhënieve dypalëshe Rusi – Turqi, i cili është arritur vitet e fundit, po prishet tani në mënyrë aq të pëkujdesshme.

 

2. Sa e rrezikuar është bota nga një konflikt Rusi-Turqi? Po shkruhet shpesh se jemi në prag të luftës së tretë botërore.

Nuk do të ketë luftë me Turqinë. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e ka pohuar këtë pothuasjse menjëherë pas incidentit. Ato klishe të pafund për “luftën e tretë botërore” që dalin në media janë vetëm spekulime të gazetarëve që vrapojnë pas sensacioneve dhe titujve bombastikë.

Të gjithë e kuptojnë fare mirë se ku mund të çonte një konflikt i armatosur midis vendeve të fuqishme. Nuk duhet të harrojmë se Rusia është një fuqi bërthamore, kurse Turqia është vend-anëtar i NATO-s. Gjasat janë të mëdha që një përplasje hipotetike mes vendeve tona do të shkaktonte pasoja tragjike në shkallë globale. Në Moskë e kuptojnë shumë mirë këtë gjë, dhe mund t’ju siguroj, do të bëjnë çmos për të shmangur një përplasje të tillë. Dua të shpresoj që edhe Ankaraja mban të njëjtin qëndrim si Rusia. Ne nuk kemi nevojë absolutisht për këtë konflikt, dhe nuk ishim ne që shkaktuam situatën aktuale.

Deri tani aksioni armiqësor i Turqisë ka sjellë reagime vetëm në rrafshim diplomatik dhe atë ekonomik. Uroj që rrafshi ushtarak të mos preket kurrë.

 

3. Rusia e ka akuzuar Turqinë se ky vend blen naftën e “Shtetit Islamik”. A ka fakte Moska për këto akuza?

Po, ne disponojmë fakte për këto akuza. Është e njohur se tregtimi i paligjshëm i naftës është burimi kryesor i të ardhurave të “Shtetit Islamik”. Dhe vetëm kur t’i ndalojmë kanalet përkatëse të furnizimzit, do të mund të flasim për një luftë të suksesshme kundër ISIS-it.

Në datën 2 dhjetor Ministria e Mbrojtjes së Rusisë zhvilloi një konferencë për shtyp, ku gazetarëve iu ofruan prova të pamohueshme të implikimit të Turqisë në biznesin e naftës të ISIS-it. Të gjitha materialet e konferncës mund t’i gjeni në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes në internet.

Për dy muaj të fundit Forcat Ajrore ruse në Siri kanë goditur 32 komplekse të nxjerrjes së naftës, 11 rafineri nafte dhe disa objekte të tjera. Janë shkatërruar më shumë se një mijë autocisterna që përdoreshin për transportin e naftës. Si rezultat, qarkullimi i naftës së prodhuar ilegalisht në Siri është ulur me gati 50%.

Sipas vlerësimeve më modeste, deri pak më parë të ardhurat e ISIS-it nga biznesi i naftës ishin jo më pak se 3 milionë dollarë në ditë. Pas sulmeve të kryera nga aviacioni rus, të ardhurat e terroristëve janë shkurtuar dyfish.

Sot e kësaj dite ekzistojnë tre rrugë kryesore të trafikut të naftës drejt Turqisë nga ato zona të Sirisë dhe Irakut që janë nën kontrollin e ISIS-it. Rruga perëndimore çon tek portet turke në Detin Mesdhe, rruga veriore – tek rafineria e naftës në qytetin turk Batman, kurse ajo lindore – tek një bazë e madhe logjistike në Cizre të Turqisë.

Gjatë konferencës për shtyp që përmenda më sipër, përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë e kanë zbuluar gjithë zinxhirin e frnizimeve të Turqisë me naftë – që nga rajonet e nxjerrjes deri në pikat përpunimi. Në fotografitë që u treguan gazetarëve janë të paraqitura kolona të gjata autocisternash, të cilat në mënyrë të pandërprerë kalojnë kufirin Siri-Turqi në të dyja drejtimet. Fluksi më i ngjeshur i cisternave dhe automjeteve të tjera të ngarkuara me naftë është shënuar në atë pjesën e kufirit që kontrollohet nga grupi terrorist “Fronti Al-Nusra”, i cili i lejon makinat të kalojnë pa ndonjë problem në territorin e Turqisë. As në Turqi ato nuk i nënshtrohen kontrollit kufirar.

Falë zbulimit kozmik kemi marrë prova të besueshme që pas kalimit të kufirit automjetet me naftë vazhdojnë drejt porteve turke Dortyol dhe Iskenderun që janë të pajisura me vendankorime të posaçme për tankerat. Një pjesë e naftës ngarkohet në anije dhe dërgohet për përpunim jashtë Turqisë, kurse pjesa tjetër shitet në tregun turk. Çdo ditë në këto porte ngarkohet mesatarisht një tanker nafte.

Një rrugë tjetër çon në Turqi nga zonat e fushave të naftës në bregun e djathtë të lumit Eufrat. Një nga qendrat më të rëndësishme të nxjerrjes dhe të përpunimit të naftës nën kontrollin e ISIS-it është zona e qytetit Deir ez-Zor. Në këtë zonë, vazhdimisht është shënuar numri i madh i autocisternave që presin për t’u ngarkuar. Fotografitë satelitore të bëra më 18 tetor në afërsi të qytetit Deir ez-Zor kanë zbuluar gjithsej 1722 autocisterna. Pasi ngarkohen me naftë, kolonat e automjeteve nga rajonet lindore të Sirisë udhëtojnë drejt qytetit Al-Qamishli në kufirin me Turqi. Në fund të fundit pjesa më e madhe e naftës nga Siria lindore dërgohet në rafinerinë e qytetit turk Batman, 100 kilometra larg kufirit sirian.

Rruga e tretë e transportit të naftës drejt Turqisë nis nga vendburimet e naftës në veri-lindje të Sirisë dhe në veri-perëndim të Irakut.

Ajo që habit më së shumti është që, pavarsisht përmasave shumë të dukshme të problemit dhe pavarsisht se midis Sirisë dhe Turqisë në mënyrë të vazhdueshme udhëtojnë mijëra, e theksoj këtë fjalë, mijëra kamione dhe autocisterna, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund t’i mos vësh re, nuk kemi parë sulme ndaj kolonave të cisternave nga ana e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të.

Më duhet të përsëris edhe një herë: materialet e konferencës për shtyp të mbajtur nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë më 2 dhjetor të këtij viti ofrojnë pikturën e plotë se si funksionon biznesi i naftës i ISISI-t dhe cili është roli i Turqisë në këtë biznes. Ju ftoj juve dhe kolegët tuaj të njiheni me to. Konkluzionet tona mbështeten nga foto dhe videomateriale të bollshme, në të njëjtën kohë kur argumentimi i Ankarasë është shumë më i dobët, pasi bazohet vetëm në fjalë.

 

4. Cili do të ishte ai veprim nga ana e Turqisë që do ta qetësonte zemërimin e Rusisë lidhur me këtë incident?

Pas incidentit Turqia nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt zbutjes së tensioneve. Ankaraja zyrtare as nuk është përpjekur të na kontaktojë urgjentisht për të sqaruar në një farë mënyre situatën. Nuk ka përdorur as linjën telefonike, as kanalin e komunikimit urgjent mes dikastereve të mbrojtjes. Në vend të kësaj, Turqia ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të NATO-s, siç duket, për të parë reagimin e aleatëve ndaj marrëzisë së saj.

Siç u shpreh Presidenti Putin, deri më tani udhëheqja më e lartë e Turqisë as nuk i ka kërkuar falje Rusisë, as nuk ka paraqitur propozimet e saj për dëmshpërblim, dhe as nuk ka premtuar t’i ndëshkojë fajtorët për krimin e kryer.

Përkundrazi, lideri turk ka refuzuar publikisht të kërkojë falje. Duhet të them se arroganca e tij nuk e favorizon aspak uljen e tensioneve dhe nuk mund ta qetësojë zemërimin e Rusisë.

Sipas mendimit tim, Turqia në radhë të parë duhet të kërkojë falje në nivel më të lartë. Vetëm pas kësaj mund të niset një dialog gjithpërfshirës për normalizimin e marrëdhënieve tona, të cilat me një veprim kriminal janë futur në një situatë krize.

 

5. Deri më tani, Moska nuk ka marrë masa diplomatike kundër Turqisë. Madje, as nuk është thirrur Ambasadori turk në Moskë. Cilat janë hapat që do të ndërmerrni?

Së pari, menjëherë pas sulmit ndaj avionit tonë Atasheu Ushtarak i Turqisë në Moskë u thirr në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë.

Së dyti, ditën e nesërme pas incidentit, më 25 nëntor, u zhvillua një bisedë telefonike e Ministrit Lavrov me homologun e tij turk Çavushoglu. Gjatë bisedës ministri rus theksoi se me rrezimin e avionit rus, i cili kishte kryer një mision të posaçëm në kuadër të operacionit kundër terrorizmit në Siri dhe i cili nuk kishte shkelur hapësirën ajrore turke, udhëheqja e Turqisë në fakt u rreshtua në krah të “Shtetit Islamik”. Po ashtu, Ministri Lavrov kujtoi për pjesëmarrjen e Turqisë në tregtimin e paligjshëm të naftës që po kryhet nga ISIS-i dhe kalon nëpër zonën ku është rrezuar avioni Su-24, si edhe për infrastrukturën terroriste dhe depot e armëve e municioneve që janë vendosur në këtë zonë.

Zoti Lavrov që në krye të herës e ka bërë shumë të qartë se veprimi flagrant i Ankarasë do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet Rusi-Turqi dhe nuk do të mbetet pa përgjigje.

Për sa u përket kundërmasave të Moskës, në datën 28 nëntor Presidenti Putin  ka firmosur një dekret “Për masat e sigurimit të sigurisë kombëtare të Rusisë dhe të mbrojtjes së qytetarëve rusë kundër veprimeve të kundërligjshme, si dhe për marrjen e masave të posaçme ekonomike ndaj Turqisë”.

Ky dekret vendos: 1) ndalimin e importeve në Rusi të disa mallrave me origjinë nga Turqia; 2) ndalimin ose vënien e masave kufizuese ndaj kompanive turke në Rusi; 3) ndalimin e hyrjes në Rusi të disa shtetasve turkë.

Gjithashtu, nga data 1 janar 2016 do të pezullohet Marrëveshja mes qeverive të Rusisë dhe Turqisë për kushtet e udhëtimeve të ndërsjella të shtetasve. Si pasojë, qytetarëve turkë të pajisur me pasaporta normale do t’u hiqet e drejta të hyjnë pa vizë në Rusi.

Veç kësaj, agjencitë turistike në Rusi duhet ta ndërpresin shitjen qytetarëve rusë të paketave turistike që parashikojnë qëndrimin në Turqi.

Qeveria ruse, nga ana e saj, duhet ta finalizoj ndalimin e fluturimeve charter mes Rusisë dhe Turqisë. Në territorin e vendit tonë do të shtohen masa sigurie dhe kontrolli ndaj kompanive turke që merren me transportin automobilistik, si dhe ndaj porteve dhe hapsirës detare në pellgun e Detit të Zi dhe Detit Azov.

Dua të theksoj se veprimet e saj të mëtejshme Moska do t’i përcaktojë duke u nisur nga zhvillimi i ngjarjeve aktuale. Lista e mallrave turkë që ndalohen të futen në Rusi, si edhe lista e shtetasve të Turqisë që nuk mund të hyjnë në Rusi, mund të zgjerohen më vonë. Nuk e përjashtojmë edhe marrjen e masave të tjera për uljen e bashkëpunimit me Turqinë.

Më duhet të nënvizoj edhe një herë: çdo gjë do të varet nga zhvillimi i situatës dhe nga gatishmëria e Ankarasë për një dialog konstruktiv me ne.

 

(Intervista e Ambasadorit të Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, SH.T. Z. Alexander Karpushin, në emisionin "Diplomaticus" të gazetarit Erion Kaçorri  te  News 24)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?