Ambasadori Soreca vlerëson SPAK dhe KBH-në: Trajtoni dosjet penale të nivelit të lartë!
Në dy vjetorin e krijimit të SPAK, ambasadori i BE, Luigi Soreca, tha se mbështetja e fortë ndaj këtij institucioni nga BE E SHBA do të vazhdojë për goditjen e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.
Në fjalën e tij, ambasadori Soreca foli dhe për dosjet penale të nivelit të lartë, duke u shprehur se “një fokus shumë i madh u duhet dhënë aftësive që kanë të bëjnë me hetimin financiar, për të trajtuar dosjet penale të nivelit të lartë”.
Më tej, ai deklaroi se në këto dy vite funksionimi të SPAK është e sigurt që frika nuk është më në anën e prokurorëve, por ka kaluar në anën e atyre që kanë filluar ta kuptojnë se nuk janë më të mbrojtur dhe do duhet të përballen me drejtësinë.
“Një bilanc i fortë po ndërtohet, sa i përket ndjekjeve penale, në çështje penale të nivelit të lartë. SPAK është pjesë e një numri në rritje të hetimeve të përbashkëta me vendet e BE. Një gjë është e sigurt, frika ka kaluar nga ana tjetër, sepse më parë frika ishte nga ana e prokurorëve. Frika tani ka kaluar tek ata që kanë filluar ta kuptojnë se nuk janë më të mbrojtur dhe do duhet të përballen me drejtësinë.
Është thelbësore që të ruajmë fokusin, të vazhdojmë të përqendrohemi te çështje që kanë të bëjnë me korrupsion të nivelit të lartë. Edhe këtu kemi parë rezultate kohët e fundit. SPAK e BKH duhet të kenë aftësitë dhe burimet e nevojshme, të funksionojnë si një institucion i vetëm”, u shpreh ambasadori Soreca.