Ambasadorja Kim dhe ministrja Kushi takojnë të rinjtë: Kontribuoni në fuqizimin e Shqipërisë
Me një ceremoni të thjeshtë, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim bashkë me ministren e Arsimit, Evis Kushi i’u kanë dorëzuar studentëve përfitues të bursave Fulbright dhe Humphrey, certifikatat e përfundimit të studimeve. Sipas ambasadës, Kim i ka nxitur ata të zbatojnë ato që kanë mësuar, për fuqizimin e Shqipërisë.
“Ambasadorja Kim dhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi përgëzuan studentët e Fulbright dhe Humphrey për përzgjedhjen e tyre për këto bursa prestigjioze dhe i uruan fat ndërsa përgatiten të fillojnë programet e studimit në Shtetet e Bashkuara. Ambasadorja dhe Ministrja gjithashtu ju dorëzuan studentëve të sapokthyer çertifikatat e përfundimit të studimeve dhe i nxitën ata të zbatojnë ato që mësuan për fuqizimin e Shqipërisë”.
Kim thekson se që prej vitit 2019 Shqipëria ka kontribuar me fonde për këto programe duke i mundësuar ambasadës të dyfishojë numrin e studentëve shqiptarë që marrin bursa për të ndjekur masterin në SHBA.
“Ambasadorja Kim theksoi se ky vit shënon 75 vjetorin e programit Fulbright, programi kryesor i shkëmbimit të Departamentit të Shtetit për arsimin dhe kulturën. Që prej vitit 2019, qeveria e Shqipërisë ka kontribuar me fonde për programin Fulbright, gjë e cila i ka mundësuar Ambasadës të dyfishojë numrin e studentëve shqiptarë që marrin bursa për të ndjekur studimet master në Shtetet e Bashkuara”, shkruan ambasada.