Ambasadorja Yuri Kim intervistë për VOA-n: Populli shqiptar meriton kandidatë të pastër

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim tha gjatë një interviste për Zërin e Amerikës se është përgjegjësia e qeverisë dhe e udhëheqësve politikë, që të sigurohen për të kuptuar dhe për t’u përgjigjur shqetësimeve që janë shprehur nga ODIHR-i në lidhje me zgjedhjet e kaluara. Kjo, tha ambasadorja, përfshin edhe krijimin e listave dhe ofrimin e kandidatëve me integritet. Pritshmëritë e Uashingtonit, tha ambasadorja Kim, janë që Shqipëria do të bëjë më të mirën që të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet dhe normat ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Ambasadore Kim, cili është qëllimi i këtij turi në zonat e veriut të vendit, në prag të zgjedhjeve lokale?

Yuri Kim, Ambasadore e SHBA: Po bëj një tur në të gjithë vendin, duke shkuar në çdo cep të Shqipërisë, pavarësisht zgjedhjeve. Siç e dini, jam përpjekur të shkoj në të 61 bashkitë e e këtij vendi të bukur dhe është pjesë e kësaj përpjekjeje.

Zëri i Amerikës: Një fenomen, i përmendur shpesh për zgjedhjet në Shqipëri, është shitblerja e votës nga njëra anë dhe mungesa e transparencës mbi financat e partive politike nga ana tjetër, të cilat dukshëm bëjnë shpenzime të konsiderueshme, por pastaj raportojnë shifra thuajse modeste. Këto fenomene pa dyshim që ju i keni ngritur edhe me zyrtarët shqiptarë në takimet tuaja. Cila është përgjigjia që merrni prej tyre? I pranojnë ata këto, apo janë në pozita mohuese?

Yuri Kim, Ambasadore e SHBA: Qëndrimi i SHBA-ve për sa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është shumë konseguent dhe shumë i qartë. Pritshmëria jonë është që një vend si Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s dhe që aspiron për anëtarësim në Bashkimin Europian, do të bëjë më të mirën që të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet dhe normat ndërkombëtare. E dimë që ka vend për përmirësim. Pamë në raportin e ODIHR-it për zgjedhjet e prillit 2021 që u vunë re mangësi, të cilat përfshijnë blerjen e votes. Përfshijnë abuzimin dhe kepërdorimin e fondeve shtetërore, gjë që flet për politizimin e disa elementeve dhe aktiviteteve të administrimit. Presim që qeveria shqiptare dhe ata që janë përgjegjës, aktorët përgjegjës, përfshi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe udhëheqësit politikë, do të marrin masa.

Zëri i Amerikës: Një tjetër fakt, që e përmend ODIHR-i dhe që ricitohet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit është ai i “avantazheve të rëndësishme që Partia qeverisëse përfitoi nga të qenit në pushtet, përfshirë edhe përmes kontrollit të administratave lokale dhe shpërdorimit të burimeve administrative”. Çfarë garancish mund të kenë kundërshtarët e saj se kjo nuk do të përsëritet, aq më tepër që në 4 vitet e fundit, socialistët kanë kontrolluar të gjithë pushtetin vendor?

Yuri Kim, Ambasadore e SHBA: Është përgjegjësia e qeverisë dhe e udhëheqësve politikë, që të sigurohen për të kuptuar dhe për t’u përgjigjur shqetësimeve që janë shprehur nga ODIHR-i. Pozicioni i Shteteve të Bashkuara gjithmonë ka qenë shumë i qartë për këtë. Sigurisht, do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha autoritetet, me udhëheqësit dhe anëtarët e partive politike, që të përpiqemi për të bërë më të mirën për të mbështetur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është përgjegjësi e qeverisë shqiptare dhe udhëheqësve politikë shqiptarë. Është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që udhëheqësit politikë, të partive politike të marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre për të ndjekur rregullat dhe kjo përfshin edhe krijimin e listave dhe ofrimin e kandidatëve me integritet. Populli shqiptar meriton kandidatë të pastër. Duam të shohim që me çdo zgjedhje, lista e kandidatëve të bëhet gjithnjë e më e pastër.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje të fundit, ju në takimet me drejtuesit e forcave politike, keni theksuar rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe më integritet. Megjithatë, kemi vënë re se dhe persona të përcaktuar nga Departamenti i Shtetit, jo vetëm rasti i zotit Berisha, përfshihen hapur në zgjedhje, ndoshta tanimë jo duke kandiduar personalisht, por duke u angazhuar në fushata elektorale, ose duke mbështetur familjarë apo të afërm të tyre që kandidojnë. A jeni e shqetësuar për këtë?

Yuri Kim, Ambasadore e SHBA: Është një gjë e gabuar. Është e gabuar. Në mendimin objektiv dhe të mirëmenduar të Sheteteve të Bashkuara të Amerikës, personat të cilët janë të përcaktuar, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar. Populli shqiptar meriton më mirë dhe kërkon më mirë. Me këtë ka të bëjë demokracia, me këtë ka të bëjë edhe reforma në drejtësi. Dhe mendoj se kur ke njerëz të përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë. Është thjesht e gabuar, e gabuar. Dhe mendoj se qytetarët e zakonshëm shqiptarë janë të zgjuar dhe e dinë se kjo nuk ka logjikë. Mendoj se qytetarët shqiptarë meritojnë më mirë dhe më shumë se aq; Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se Shqipëria meriton dhe duhet të jetë më mirë.

SHKARKO APP