Ambasadorja Yuri Kim: Shqiptarët janë qëndrestarë, kanë frymëzuar botën me vendosmërinë e tyre

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim thotë se shqiptarët janë një popull qëndrestar dhe kanë frymëzuar botën duke kaluar nga komunizmi në një vend anëtar të NATO-s. E ftuar këtë mbrëmje në emisionin ”Open”, Kim tha edhe se agjenda e SHBA-së në vendin tonë, është demokracia, mbrojtja dhe biznesi.

”Në vitin 1991, siç e dimë të gjithë, Shqipëria ishte një nga vendet më të varfra në botë dhe në ato 30 vjet, ndërsa Shqipëria u çlirua nga diktatura komuniste, mendoj se populli shqiptar e ka provuar veten se është qëndrestar dhe kanë frymëzuar botën me vendosmërinë e tyre. Agjenda jonë është që të përqendrohemi tek demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Pra, jeni çliruar nga diktatura komuniste; institucionet e demokracisë dhe ligjit, sundimi i ligjit, janë instaluar dhe po punojmë për t’i forcuar sa më shumë mundemi.

Çështja e dytë është mbrojtja. Dhe në 30 vjet, 100 vjet, kemi kaluar nga një diktaturë komuniste e mbyllur ndaj botës, tek Shqipëria që tani mirëpret forca të SHBA, duke filluar nga ky vit. Ndaj, ky është një ndryshim historik.

Së fundi biznesi. Disa nga bizneset më të mëdha po vijnë në Shqipëri. Mund të flasim më vonë për këtë, por janë të përqendruar tek energjia tani dhe shoh edhe fusha të tjera që po hapen, përfshi teknologjinë.

Kemi hidrocentralin e Skavicës, nuk është punë e mbyllur ende, por duket shumë mirë; kemi Vlorën, termocentralin që do të sjellë gaz të lëngshëm. Këto kanë implikime të stërmëdha për rolin e Shqipërisë në rajon, jo thjesht nga aftësia e Shqipërisë për të siguruar energji për veten, por edhe për kontributin e Shqipërisë në rajon si eksportuese neto e energjisë dhe sigurisë së energjisë”.

SHKARKO APP