Ambasadorja Yuri Kim: Zyrtarët e lartë nuk mund të presin më imunitet

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim thotë se qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë nga Reforma në Drejtësi. Kim i konsideron të drejta disa kritika dhe thotë se qytetarët duhet të vazhdojnë trysninë mbi institucionet e reja të drejtësisë.

“Mendoj se ata që janë kritikë të zbatimit të reformës në drejtësi ngrenë disa pika me vend dhe mendoj se pjesë e procesit të një reforme kaq të madhe sa kjo është të dëgjosh kritikat”, tha në ”Euronews Albania”.

Për të në Shqipëri ka njerëz që kërkojnë mënyra për ta ndaluar zbatimin e reformës në drejtësi. ”Mendoj se shumë njerëz ndihen shumë rehat dhe mendoj që do donin ta kthenin kohën pas që të jetë siç ka qenë, ku ka pandëshkueshmëri, nuk ka llogaridhënie. Merr ryshfet, s’të ndodh gjë. Nënshkruan kontrata, s’të ndodh gjë. Jep prokurime tek miqtë, s’të ndodh gjë. Kjo do të ndryshojë së shpejti. Po ndryshon”.

Nga ana tjetër, për kritikat se njerëzit që janë në qeveri dhe në pushtet, nuk gjykohen, ambasadorja tha se SPAK po bën detyrën dhe se zyrtarët e lartë nuk mund të presin më imunitet.

”Mendoj se ata që janë në pushtet, zyrtarët e lartë kanë detyrën ekstra për t’u siguruar që të zbatojnë ligjin. Dhe mendoj se nëse i’u kërkohet llogari për shkelje të ligjit, nuk duhet të habiten dhe nuk mund të presin më imunitet”.

SHKARKO APP