Amnistia Penale, Alibeaj vijon akuzat ndaj qeverisë: Përfituan drejtorët dhe gjyqtarët që janë hetuar për korrupsion
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së zyrtare, Enkelejd Alibeaj ka komentuar sërish amnistinë penale, edhe pse burgjet janë hapur dhe përfituesit kanë lënë qelitë. Alibeaj thotë se nga drafti përfituan deri në 100 persona, që janë hetuar për korrupsion.
“Qeveria dhe Rithemelimi thanë se nga amnistia nuk do të përfitojnë ata që janë dënuar nga SPAK. Me amnistinë e fundit përfitonin ata që ishin dënuar nga GJKKO. 80 deri në 100 persona që janë dënuar për korrupsion dhe kanë përfituar nga amnistia. Ky numër mund të rritet edhe më tej, sepse ka persona të tjerë që janë në procese gjyqësore dhe duan të përfitojnë nga amnistia.
Nuk përfituan funksionarët e lartë, por përfituan drejtorët, gjyqtarët. Në amnisti nuk u përfshi vepra penale e parashikuar nga neni 75/b dhe 75/c, por u përfshi neni 75/a, pra nuk u përjashtua gjithë neni, por u la hapësirë që të përfitojnë të korruptuarit”, tha ai në News24.