Amnistia Penale, Pampuri: Nuk bëjmë pazar të turpshëm. Protestën Berisha e bëri për vulën
Nënkryetarja e PD-së së vulës, Orjola Pampuri, teksa flet për Amnistinë Penale që PS e tërhoqi sot nga votimi në Kuvend për shkak të mungesës së 84 votave, thotë se ata nuk bëjnë pazar të turpshëm. Ajo tha se Partia Demokratike nuk jep vota, që të miratohen ligje në kurriz të shqiptarëve.
“Në parlament nuk ka diskutime, sepse maxhoranca vendos për çdo gjë. Ne nuk morën pjesë në parlament, sepse nuk mund të bëhemi palë e një pazari, që kalon nivelin e të turpshmes. Skandale bëjnë të gjithë ata që miratojnë ligje në parlament, që nuk janë në favor të shqiptarëve. Kush përmend pazare, janë ata që bëjnë më tepër pazare. Ne nuk jemi ajo opozitë, që të nxjerrim nga burgu të gjithë ata që janë në qeli. Protestuesit patjetër që duhet të amnistohen, sepse ata thjesht kanë protestuar për një vend më të mirë. Ne nuk bashkohemi votat me PS, kur ata paraqesin amandamente, që iu shërbejnë politikanëve të korruptuar të qeverisë. Ne e kemi thënë se SPAK është struktura e vetme, ku shqiptarët kanë shpresa se do të ketë drejtësi”, tha Pampuri.
Për protestën e 20 shkurtit, Pampuri tha se protestuesit u përdorën në mënyrën më të ulët. Ajo shtoi se organizatorët e protestës u përdorën, pasi të gjithë kishin hallin tek logoja dhe vula.
”Protesta nuk i shërbeu kauzës së qytetarëve. Në protestë, ishte një person që është non grata, Sali Berisha. Por, nuk mund të isha në një protestë, ku atakohet SPAK dhe institucionet e drejtësisë. Protestat, që kanë në themel kauzën personale të një njeriu, nuk i shërbejnë askujt. PD nuk duhet të marrë në mbrojtje asnjë person, kushdo qoftë ky individ. Shqipëria nuk mund të bëjë përpara pa aleatët e saj strategjikë. Forca nuk matet me numra. Protestuesit u përdorën, të gjithë e kishin hallin tek logo dhe vula”, u shpreh Pampuri.