Amnistia për të burgosurit, Rama: E miratojmë në Kuvend, nuk lidhet veç me mbipopullimin
Kryeministri Edi Rama tha se amnistia penale do të miratohet në Kuvend. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët këtë të premte, Rama shtoi se ligji për amnistinë penale është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe do të kalojë procedurën në Kuvend për t’u miratuar.
“Është një proces që është bërë vazhdimisht dhe jo vetëm për çështjen e mbipopullimit, që është një problem. Por, patjetër që do të bëhet serish, pasi të gjitha ato arsye qëndrojnë, dhe së shpejti ne do ta kalojmë amnistinë për lirimin e një grupi të kategorive që janë sipas një ligji, që është gati dhe do ta kalojmë”, tha Rama.
Ministria e Drejtësisë depozitoi në 6 nëntor në Kuvend një projektligj për dhënie amnistie. Nga kjo amnisti përfitojnë rreth 570 të dënuar. Gjithashtu pushon ndjekja penale për pjesën më të madhe të kundërvajtjeve penale që dënohen deri në 2 vjet.
Nga kjo amnisti përfitojnë nga 1 vit ulje dënimi të gjithë meshkujt dhe 1.5 vite femrat dhe të miturit që nuk përfitojnë amnisti si të tjerët, me përjashtim të të dënuarve me burgim të përjetshëm, të dënuarve për vrasje dhe subjekteve të SPAK.