Analisti Bugajski: ”Nuk ka mundësi që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve se fitojnë përherë Demokratët!”

Politologu dhe analisti i mirënjohur, Janusz Bugajski, foli në ”Euronews Albania” mbi zhvillimet e fundit ndërkombëtare. Ai analizoi deklaratat kontraverse të presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump, për mundësinë e blerjes së Grenlandës dhe idenë e bashkimit të Kanadasë me Shtetet e Bashkuara.

Për të Trump shpesh bën komente për të krijuar përshtypje dhe se kjo është pjesë e stilit të tij politik. ”Trump shpesh thotë gjëra për të bërë përshtypje dhe shpesh përsërit gjëra që i ka dëgjuar. Kjo është politika e tij. Ai është një figurë që mendon se mund të bëjë marrëveshje, transaksione dhe kompromise, dhe ka një mënyrë shumë të paparashikueshme për të vepruar. Po ashtu, ai ofendohet shpejt dhe e sheh politikën e jashtme si një çështje personale”.

Sa i përket Grenlandës, Bugajski vlerëson se Trump mund të ketë ndërmend ta afrojë ishullin me NATO-n për shkak të rritjes së aktivitetit të Rusisë dhe Kinës në Arktik, duke përfshirë eksplorimin e burimeve minerale dhe natyrore. Në lidhje me Kanadanë, Bugajski e quajti të pamundur bashkimin e këtij shteti me SHBA-në. ”Nuk ka mundësi që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve, sepse kjo do të çonte në një mazhorancë të demokratëve në Kongres, një gjë që as republikanët nuk e duan”,-shtoi ai.

Bugajski shpjegoi se Trump mund të jetë duke i bërë presion Kanadasë në disa fusha, si tregtia dhe shpenzimet për mbrojtjen. ”Trump po i ushtron presion Kanadasë, veçanërisht përsa i përket shpenzimeve të saj për ushtrinë, pasi Kanadaja investon vetëm 2% të buxhetit të saj për NATO-n”,-tha ai.

SHKARKO APP