Analisti Krasniqi: Në Tiranë kancelarja Merkel erdhi për dy motive kryesore
Në Tiranë kancelarja gjermane Angela Merkel, u takua me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, përpos takimit të veçantë që pati me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Analisti Afrim Krasniqi, thotë se janë dy motive kryesore të vizitës. Bërja e një bilanci të procesit të Berlinit si dhe për t’i dërguar një mesazh vendeve të BE-së që kanë bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE.
“U bë e qartë që dy ishin motivet kryesore. Së pari, për të bërë bilancin e procesit të Berlinit dhe për të dërguar mesazh në Ballkan se i gjithë procesi ka dhënë rezultat, duhet të kini durim dhe është e vetmja rrugë që vendet mund të shkojnë në BE.
Këmbëngulja e saj për të veçuar procesin e Berlinit nga nismat e tjera, të cilat nuk i përjashton, por nuk i konsideron themelore, lidhet edhe me atë që quhet paketa e plotë e procesit të Berlinit dhe shtrirja e saj në të gjitha grupet shoqërore.
Së dyti, mendoj që e përdori vizitën, sidomos në Tiranë për t’i dërguar një mesazh vendeve të BE-së. Merkel tha një shprehje: Nuk ka këtu BE, bëhet fjalë për disa vende që janë kritike dhe kanë bllokuar procesin.
Duke thënë se vendet i kanë plotësuar kriteret dhe se Gjermania do të insistojë që këto vende të marrin atë që iu përket, do të thotë që ishte një mesazh dërguar Bullgarisë apo vendeve të tjera kanë përdorur të qenurit në BE për të bllokuar Shqipërinë”, tha Krasniqi për ”A2cnn”.