Analizë/Rruga drejt BE-së, negociatat që nuk nisën

Për Shqipërinë, marsi është shënuar në kalendar si muaji i nisjes së pandemisë Covid-19. Por, ai mbahet mend edhe për ponë e shumëpritur për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Një përgjigje pozitive e ardhur online nga vendet anëtare të BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Europa dhe bota kishin si prioritet të parë përballjen me Covid-19 nën masa të rrepta izolimi.

Lajmi i mirë nuk linte shteg për entuziazëm të madh, nisur nga kushtet që shoqëronin ponë europiane, pa plotësimin e të cilave nuk do të kishte ulje në tryezën e parë ndërqeveritare, çka do të thoshte nisje zyrtare e negociatave të anëtarësimit. Ato nisnin me kërkesën për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ngritjen e plotë të strukturave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Nga kjo listë e vjeshtës së 2019-s, vendit iu shtuan në mars edhe kërkesat për frenimin e azilkërkuesve dhe ndryshimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Këto rregulla të reja për t’u afruar me familjen europiane u miratuan më herët në shkurt në strategjinë e zgjerimit me këmbënguljen e Francës. Vendi i presidentit Emmanuel Macron, tejet skeptik për zgjerimin, kërkonte një qasje tjetër, më të kornizuar për zgjerimin, një qasje që ai e konsideronte realiste, por theksonte në mënyrë të veçantë monitorimin direkt të vendeve anëtare te shtetet aspirante, përtej qëndrimeve të organizmave të Bashkimit Europian, në Bruksel.

Modeli i kuadrit negociator zyrtarizoi atë që disa prej vendeve skeptike kishin nisur ta aplikonin vitet e fundit: dërgimin e ekipeve faktmbledhëse në vendet që synojnë anëtarësimin, duke hartuar dhe raporte. 31 kapitujt e çështjeve që do të negociohen do të jenë të ndarë në 6 grupime, ku boshti do të jetë ai i shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit, që bëjnë pjesë në grupin e kapitujve themeltarë.

Progresi me grupin e kapitujve themeltarë do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave dhe do të merret në konsideratë për hapjen ose mbylljen e kapitujve të rinj. Edhe pse pandemia e bëri të paqartë se kur do të ishin datat për mbledhjet e radhës, apo nëse rrugëtimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë do të ndahej ose jo, gjatë gjithë vitit përfaëqësues të shteteve anëtare të BE-së lëshuan apele për Tiranën zyrtare të përparonte me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe refomën zgjedhore. Këto do të ishin dy prej kushteve kryesore për t’u ulur në tryezën e parë ndërqeveritare. Ndërsa, pala shqiptare përcakoi edhe kryenegociatorin Zef Mazi, deklaratat e kryeministrit nga ana tjetër ishin jo në nivelin e entuziazmit që ai kishte përcjellë vitet e shkuara kur nuk kishte munguar “duartrokitja” për hapjen e negociatave.

Por, përtej kësaj përmbajtjeje të vitit të fundit, frekuente ishin deklaratat e qeverisë se çdo pengesë në avancimin drejt BE-së, ishte më shumë e lidhur me problemet e brendshme të shteteve anëtare sesa me ecurinë e Shqipërisë, e cila vijon të vlerësohet me tone pozitive nga raportet e Komisionit Europian. Më 17 nëntor, në mbledhjen e radhës, ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së nuk arritën dakordësinë për miratimin e kornizës negociatore për dy vendet në proces, duke e bërë edhe më të largët një vendimmarrje për ulje në konferencën e parë ndërqeveritare. Ajo që gëzojmë për momentin është se Shqipëria vijon të jetë në një tren me Maqedoninë e Veriut, pasi Bullgaria vendosi veton për Shkupin zyrtar deri në zgjidhjen e problemeve me gjuhën. Holanda nuk e fshehu skepticizmin për Shqipërinë dhe përmbushjen e kushteve të vendosura ndaj saj. Edhe pse kryesuese e unionit në 6 muajt e dytë të vitit që nxiti avancimin me miratimin e kuadrit negociator për dy vendet, Gjermania theksoi nevojën e konsensusit të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe që Shqipëria të bënte funksionale gjykatat.

Kritika mori ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të njëanshëm, në kundërshtim me frymën që u krijua me marrëveshjen e 5 qershorit. Entuziazmi i Komisonerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, nuk mungoi sapo Gjykata Kushtetuese arriti kuorumin për funksionim. Përmes Twitter-it, zyrtari i lartë i Komisionit Europian tha se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për t’u ulur në konferencën e parë ndërqeveritare. Takimi i radhës me Brukselin është në pranverë, kur Shqipëria do të jetë në kulmin e fushatës elektorale. Në çdo rast, ajo çfarë tradita na ka mësuar është se BE-ja nuk shprehet në situata të tilla pa parë cilësinë e zgjedhjeve, në këtë rast të zgjedhjeve të 25 prillit, për të cilat BE-ja dhe SHBA-ja kanë theksuar se kërkojnë standarde ndërkombëtare. /A2cnn/

SHKARKO APP