Andi Bejtja në një intervistë ekskluzive, shpërthen kundër Ramës e Bashës. Kritika gazetarëve jo qiraxhinj

 

Gazetari Andi Bejtja në një intervistë ekskluzive të dhënë për gazetarin Çim Peka në SYRI.net, ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministri Edi Rama dhe kreut të opozitës. Në fakt për këtë të fundit, Bejtja nuk ka dashur të flasë shumë gjatë duke thënë se, “nuk dua ti rëndoj më shumë demokratët në këtë mes gushti ku nuk e kanë gjetur akoma vendndodhjen e liderit të tyre”.

Ndërsa në drejtim të kryeministrit, Bejtja ka vetëm akuza sidomos në drejtim të ekonomisë së vendit dhe vendimeve të gabuara që janë marrë që në nisje të qeverisjes.

LEXONI MË POSHTË INTERVISTËN E PLOTË

1-“Mediat verore” sipas kryeparlamentarit Meta, dhe “mendje jo të shëndosha” sipas deputetit Vasili po flasin për kërcitje raportesh ndërmjet Edi Ramës e Ilir Metës. Por gazetari Andi Bushati në një intervistë për “SYRI.net” është shprehur se Meta dhe Rama janë thyer keqas, e për këtë ka më shumë se një dëshmitar. Që nga gazetar qiraxhinjtë na Lalz, e deri tek botues afër Ilir Metës. Mesa di unë ju po pushoni me familjen në Lalz, në një apartament me qira. A jeni ju gazetari qiraxhi në Lalz që keni informacion për të krisje Rama-Meta? E thënë më shkurt, a ka një përplasje Rama-Meta sipas jush?

Nuk ka shumë rëndësi, sidomos për lexuesin e nderuar të portalit tuaj, nëse jam apo nuk jam unë gazetari qiraxhi në Lalëz, pasi mund të ketë dhe të tjerë dhe unë kaloj aq pak kohë këtu dhe nuk e kam atë vëmendje kush hyn e kush del, e aq më tepër të shikoj se çfarë bën Ilir Meta kur e pyesin për marrëdhëniet me Edi Ramën: ha fara apo pi ujë. E them këtë se më është bërë kjo pyetje qesharake, jo nga gazetarë qiraxhinj, po nga gazetarë seriozë pronarë vilash në Qerret që shpeshherë e mbajnë punën duke bërë thjesht hinkën e fjalëve dhe thashethemeve mes liderëve në këtë fshat të madh që quhet Shqipëri. Nuk kemi çbëjmë fatkeqësisht këtu është katandisur një pjesë jo e vogël e tregut të gazetarisë shqiptare. Nga ana tjetër, është e vërtetë ajo që keni konstatuar ju, që ka sens pexhorativ në përdorimin e termit gazetar qiraxhi nga ana e Bushatit, por kjo nuk ka si të përbëjë shqetësim për mua, apo për këdo tjetër që me punë të ndershme dhe pa dallavere, nuk ka mundur dot të blejë një vilë në Qerret apo Lalëz. Përkundrazi duhet të përbëjë problem për atë gazetar që e ka këtë mentalitet. Grekët thonë “puno që të jetosh, vidh që të kesh”. Rasti im dhe i shumë qiraxhinjve të tjerë është i qartë. Uroj, që Bushati mos ta ketë mentalitet: së pari duke besuar atë që kam parë dhe herë të tjera: që është një gazetar që nuk ka marrëdhënie të mira me shqipen, këtë e vërteton dhe në intervistën e djeshme, ku fjalën dëshmitar e përdor jo në mënyrë adekuate: pasi nuk kam parë ndonjë dëshmitar audio që dëshminë e ngrenë dëshminë mbi  fjalë të protagonistëve apo atyre që rrinë afër, për më tepër me fjalë që i hapin enkas vetë, pikërisht për të bërë gazetarë si Bushati, të bëjnë këto lloj analizash. Këtë herë, mund të mos ketë dhe shumë faj se dhe Batoni mund të ketë kaluar ca ditë për pushime nga Qerreti. Nejse, që ta mbyllim kapitullin e qiraxhiut, këtë herë nuk kam asnjë ndjejnë negative ndaj malinjitetit të vazhdueshëm të tij, pasi këtë herë ai nuk është vetëm ai që ma qan hallin dhe më përbuz për faktin e të qenit qiraxhi, po është dhe një njeri shumë i dashur për mua: gruaja ime. Po ndërsa, gruan e kuptoj që ka hallin e kalamajve të vet, Bushatin nuk e kuptoj, hallin e kujt qan.

Meqë jemi dhe te Bushati dhe të LSI. Ka disa, kryesisht gazetarë frankofonë që në mënyrë naive dhe paragjykuese, LSI-në e shohin si të keqen e vetme të progresit të këtij vendi, e artikulojnë aq shumë dhe aq pa argumente, saqë i është shndërruar tashmë në çështje psikike. Dhe duke ndodhur ky proces, mendojnë se sapo të ikë Meta nga pushteti, këtyre do tu përmirësohet jeta seksuale apo do fillojnë të flasin automatikisht rrjedhshëm anglisht. Për më tepër, është një tezë që ushqehet fuqishëm këto momente si nga pushteti, që po dëshmon dita ditës paaftësinë për të qeverisur këtë vend, por ashtu edhe nga një pjesë e opozitës që rri dhe vështron ngërçin e vet, duke pyetur dhe njëri-tjetrin se ku është lideri i tyre këtë gusht. Pra, është më shumë një histori shqiptare që kërkon tja hedhë fajin të tjerëve e jo vetvetes. Është më shumë një histori shqiptare, se sa një histori politike. Ndaj, në këtë kontekst nuk ka si mos dalin fjalët për një koalicion të mundshëm PS-PD, por të jeni të sigurtë bashkimi i dy ngërçeve nuk ka si të sjellë një zgjidhje, përkundrazi. E zëmë se iku Ilir Meta dhe Bushati filloi të flasë rrjedhshëm anglisht, a do ti realizojë Edi Rama të ardhurat nga tatimet dhe doganat. Jo, sepse përveç të tjerave, se ky dështim që po i ndodh, nuk po i ndodh nga korrupsioni, po nga paaftësia e mbi të gjitha nga konceptet e gabuara ekonomike që ka zgjedhur, që stimulojnë evazionin dhe prishin tregun. E zëmë se iku Ilir Meta nesër a do ta bëjë Edi Rama shëndetësinë falas? Jo, vëlla, nuk ka lidhje me Ilir Metën dhe as me Perëndinë. Thjesht nuk bëhet me mjekë që marrin 400-500 USD në muaj dhe me buxhetin e një komune. E kështu me radhë, për të mos u zgjatur më tej.

A ka krisje PS-LSI? Unë nuk bazohem në ato që dëgjoj qoftë nga protagonistët, qoftë nga sekserët, po nga veprimet publike. PS, LSI po dëshmojnë se kanë qëndrime të ndryshme që nga tenda e kryeministrisë e deri te taksat. Sa e thellë, sa do zgjasë a do ndahen ? Nuk e gjej dot tani për tani. Ilir Metën sa herë e kam hasur dhe këtu në Lalëz, nuk e kam dëgjuar të flasë ndonjëherë për Edi Ramën, apo Lulëzim Bashën, po vetëm për ekonominë.

Si e shikoni rritjen në këto përmasa të LSI-së? A mendoni se një rritje e tillë është natyrale dhe tashmë Ilir Meta është një kërcënim për dy partitë e mëdha?

Shikoni, ka shumë që sërish për shkak të paragjykimeve mendojnë se LSI është një shushunjë që rritet vetëm në kurriz të pushtetit. LSI është rritur dhe për shkak të qenies në pushtet, por jo LSI por asnjë parti në botë, nuk mund të punësojë gjithë anëtarët e vet me 20 për qind të pushtetit. Këto janë përralla, që kundërshtohen lehtë nga shifrat. Jo LSI, ka patur, ka dhe do ketë gotën e vet nga e cila ka pirë e do pijë vetë. LSI ishte e vetmja parti shqiptare jo tradicionale, që me fuqinë e vet arriti ta bëjë politikën e ngurtë shqiptare tre polare dhe kjo është një meritë që nuk mund t’ia heqë askush, pavarësisht vërejtjeve që mund të ketë për këtë forcë. LSI rri më pranë njerëzve se çdo parti tjetër dhe nuk e ka arrogancën e dy partive të mëdha. E keni dëgjuar atë shprehjen që qarkullon në Jug “edhe pse mund të mos ta zgjidhë hallin, LSI ta qan hallin”. Në këtë kontekst nuk ju duket politikë jo vetëm e zgjuar por edhe njerëzore, politikë që sjell vota shprehja e Ilir Metës, shprehje, por që në kushtet e Shqipërisë është teze politike: “Ne e mbajmë telefonin hapur”. Nuk ju duket tezë politike që sjell vota në këto kushte në Shqipëri shprehja tjetër e Ilir Metës, “fuqia jonë është normaliteti”. Nuk ju duket që LSI përveç qenies në pushtet, thith vota kur ndërron taksimin për një kategori të madhe si fasonistët? Nuk mendoni që LSI thith votën kur ashtu edhe si Lubonja, edhe pse në koalicion kritikon publikisht tendën përpara Kryeministrisë? Nuk mendoni që edhe pse doli fitimtare në numra këto zgjedhje LSI, ndryshe nga dy forcat kryesore që edhe pse humbën shfaqën eufori, LSI bëri të kundërtën tha do reflektojmë? Dhe fundja fundit e keni gjetur përgjigjen pse LSI po e thith rininë me një shpejtësi më të madhe se gjithë partitë e tjera? Përgjigjja se i organizon rinisë festa në Jalë nuk është përgjigje. LSI ka gotën e vet, ndoshta më të madhe në pushtet, e më të vogël në opozitë, por LSI ujin e pi nga gota vet, pavarësisht se nga mund ta pi amaron apo limonçelon. Pastaj, dhe lideri i saj, është një produkt i mirëfilltë i politikës, të pëlqen apo nuk të pëlqen, ta bën zemra të votosh për të apo jo. Ndërkohë, që dy liderët aktualë në treg, njëri është produkt mediash dhe tjetri produkt i dhuratave politike. Dhe këtë mos e harroni.

Si mendoni e ka drekuar Nano me Ramën? Pse fundja fundit e përhapin këtë lajm me kaq shpejtësi?

Nuk i hy fare kësaj historie, është normale gjithkush të takojë këdo në politikë. Po dhe këtu Rama ndryshon shumë nga Meta. Rama, kur do të takojë dikë, për arsye show politik a ku di unë, në fillim hap fjalën që e ka takuar apo ka drekuar me këtë person dhe pastaj i kërkon drekën apo takimin dhe në të shumtën e rasteve takimi nuk realizohet. Ndërkohë që Ilir Meta përshembull mund ta ketë takuar Fatos Nanon dhe nuk e ka marrë vesh njeri.

Jeni Drejtor Informacioni tek “Agon Channel”, një TV i akuzuar për pastrim parash nga kryeministri Rama. A keni një koment për këtë akuzë?

E kam thënë me mijëra herë, në gjithë këtë që ndodhi me Agon dhe pronarin e saj nuk qaj hallin e Beketit, i cili i ka gjyqet të fituara dhe lekët e dëmshpërblimit në xhep, por hallin e shqiptarëve, të demokracisë shqiptarëve dhe hallin e atyre punonjësve të Agon që ashtu si shumë shqiptarë punojnë për të ushqyer familjet e tyre. Për parantezë. Do të ishte jo vetëm normale, jo vetëm ligjore, por mbi të gjitha njerëzore, humane që teksa zhvilloheshin të gjitha shkallët e gjyqësorit punonjësi e Agon të lejoheshin të merrnin rrogën për punën e tyre dhe jo të bllokoheshin kafshërisht duke shkelur çdo ligj dhe kufi moral. Është një hakmarrje verbër që i buron kryeministrit nga të gjitha poret, një hakmarrje që shtohet jo vetëm nga ndonjë pagesë segmentesh të errëta ndërkombëtare  nën dorë, por dhe nga xhelozia dhe lufta e oligarkisë lokale shqiptare, që e shtyn akoma më shumë kryeministrin drejt kësaj hakmarrjeje të verbër, për shkak se Beketi nuk i përket orbitës së tyre. Ndaj në këtë verbëri shtohen veprimet kafshërore. Agoni është nën sekuestro shtetërore dhe nuk ka asnjë administrator shtetëror që të marrë përsipër pagesën e punonjësve sipas ligjit. Dhe nuk mjafton kjo. Por Beketi nuk lejohet tu paguajë as rrogat punonjësve. Dhe pasi i bllokohet çdo gjë, çdo kokërr leku, nuk mjaftohen me kaq: e akuzojnë se nuk ka paguar sigurimet shoqërore për punonjësit në këto dy muaj që e kanë bllokuar arbitrarisht dhe nuk e lënë të hedhë as lekë nafte për makinat. E akuzojnë arbitrarisht dhe kafshërisht për këto dy muaj, ndërkohë që për dy vjet ekzistencë ka paguar sigurime për punonjësit sa gjithë televizionet shqiptare në 15 vjet. Kafshëri, hakmarrje! Po ndaj për herë të parë një moment intim me ju në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, që fillimisht prokuroria foli për “dyshime për pastrim parash”, kryeministri del publikisht dhe mbush gojën plot duke u shprehur “skemë gjigante pastrimi”. Ky qe momenti më i lumtur për Beketin dhe dosjen e tij, moment që në arbitrazhin ndërkombëtar fiton gjithçka, që bën nul arrestin e gjithçka dhe i fut lekët e shtetit shqiptar në xhepin e Beketit me shumicë. Për mua si gazetar, por dhe si shqiptar ky qe momenti më i trishtë. Të gjithë e dimë që Edi Rama nuk ka raporte me ligjin dhe shtetin ligjor, por nuk e mendoja që do të hynte kaq thellë. Dhe nuk ka si mos të të vinë në mendje me dhjetëra pyetje me përgjigje dëshpëruese. Kur e bëri këtë me Beketin që ka një koracë ndërkombëtare ligjore për tu pasur zili, çfarë mund ti bëjë një biznesmeni lokal? Çfarë mund ti bëjë një shqiptari të thjeshtë? Ky është ai burri që ndërkombëtarët besojnë dhe presin të bëjë reformën në drejtësi? Nga ky e presin reformën në drejtësi, nga ky pushtetar që në rastin Beketi kriminalizoi dhe përdori në të qindtën e sekondës të gjitha segmentet e shtetit, tatime dogana, polici, prokurori dhe të gjitha këto me një dhunë të pashoqe? Këto qenkan institucionet e shtetit shqiptar që ranë në këmbët e një kryeministri aventurier në 5 sekonda? E kam thënë shpeshherë çështja Beketi shërbeu si një pasqyrë për ta parë shtetin dhe institucionet e tij sat ë dobëta janë dhe të përdora politikisht, për të parë pjesën më të madhe të medias sa e deformuar dhe e shitur është. Nuk tragjike, disa nuk duan ta shohin, shpeshherë dhe për shkak të një xhelozie rrogash. Mos e shikoni, por do ti vijë radha një tjetri ku nuk do ketë mundësi të gjejë zgjidhje si të Beketit. Do i vijë radha gjithsecilit. Beketi ka për ti marrë thasë me lekë shtetit, shqiptar dhe Agoni do agojë sërish, po papërgjegjshmërinë e një Kryeministri aventurier nuk do e paguajë vetë, nga xhepi vetë Edi Rama, por do e paguajnë xhepat e 3 milionë shqiptarëve. Më shumë se tragjike.

Si e gjykoni qeverisjen e Edi Ramës në këto dy vjet?

I kam vënë shumë epitete kësaj qeverisjeje gjatë këtyre dy vjetëve, po tani kam vetëm një PAAFTESIA. Është koha më e papërshtatshme që Shqipëria në këtë krizë ekonomike jo vetëm rajonale, të ketë një lider të tillë që nuk mendon aspak ekonomikisht, që nuk është i orientuar nga thelbi, por nga show dhe nga sipërfaqja. E kam thënë që në fillim të mandatin kur të gjithë shpresonin që dhe i bënin presion kryeministrit të mbajë premtimet: Zot, jo ishallah nuk i shkon me kokëfortësi këtyre premtimeve se do e shkatërrojë Shqipërinë në atë farë feje që nuk do e marrë më veten kurrë. Rama i nguli piketat ekonomike gabim, duke patur parasysh kohën që po jetojmë dhe jo tezat teorike politiko-ekonomike. Bëri një gabim katastrofal, që në fakt ja vunë në dukje të gjithë: hoqi taksën e sheshtë. Shtoi taksën e investimeve të huaja kur në rajon e ulën të gjithë. Mori borxh jashtë për të larë një borxh të brendshëm pa i kaluar këto lekë në investime, e shumë të tjera si këto, gabime që i kupton cdo njeri që lexon një shkrim ekonomik një herë në javë. Përfundimi: varfëroi shqiptarët dhe shtoi evazionin fiskal Sic e kam thënë dhe në një shkrim të mëparshëm me titullin “ Qeveria prish dhe mbyll”, vetëm mbylli, mbylli, prishi, prishi, shpeshherë në mënyrë selektive, duke asfiksuar ekonominë akoma dhe më keq. Dhe kur? Në një kohë kur nisi një operacion antikanabis dhe kur reminitancat kanë shkuar në minimumin historik. Kam dëgjuar shumë historira dhe anekdota për paaftësinë e ministrave të Ramës. Por me këto piketa të vendosura kështu nuk kanë çfarë bëjnë as ata as ministrat më të mirë të botës. Ka vetëm një rrugë: të shkulen këto piketa. Po vazhduam kështu do të kemi të njëjtat të ardhura në tatime e dogana,të njëjtat rezultate kudo, madje dhe më keq, do kemi rrënim të pakthyeshëm. Ndaj në çdo shkrim timin gjatë këtyre dy vjetëve kam folur kryesisht për ekonominë. Në shkrimin e fundit “Rilindja e Pesimizmit pa fund”, hodha e idenë e një strategjie mbarëkombëtare ekonomike, por kjo nuk do të thotë koalicion PS-PD. Kush e kupton  e kupton. Por, nuk kam asnjë shpresë ta kuptojë Kryeministri jonë, që fatkeqësisht energjitë tashmë e ka të fokusuar jo vetëm për të marrë vesh ca tha Ilir Meta te kafja e Gjirit të Lalzit, por edhe çfarë axhende show ka Erion Veliaj në Bashkinë e Tiranës, që në të njëjtën orë kryeministri të bëjë të njëjtën gjë në kryeministri.

Opozita Basha. Cili është mendimi juaj për mënyrën se si po e drejton Lulzim Basha opozitën. A besoni se kjo lloj opozitë do ta sjell Bashën në pushtet? E besoni se një ditë kryeministri i Shqipërisë do të ketë emrin Lulzim Basha?

Nuk dua ti rëndoj më shumë demokratët në këtë mes gushti ku nuk e kanë gjetur akoma vendndodhjen e liderit të tyre. Nuk kam ndërmend ti jap mend si behët opozitë e aq më shumë Lulzim Bashës, se e di që edhe nuk do më dëgjojë. Ajo që unë shikoj është se për shkak të një konsumimi galopant të pushtetit, tregu opozitar po bëhet më i madh se tregu i pushtetit, po teksa ndodh kjo Partia Demokratike nuk po rritet. Dhe me që e nisëm me Bushatin dhe LSI-në, mos u çudisni kur nesër ndryshe nga ç’mund të mendoni e paragjykoni LSI ta gjeni të pozicionuar në këtë treg. Kaq kam për të thënë për këtë pikë. Ka ardhur një kohë që mund të mendosh se dardha mund të bjerë vetë po dardhën dhe duhet të dish ta presësh.

SHKARKO APP