Andi Bushati: Asgjë personale, kjo nuk është beteja jonë me Ramën
Nga: Andi Bushati
Një mobilizim i pazakontë i komunitetit të gazetarëve po korr fryte të pa imagjinueshme ndërkombëtare, kundër prëpjekjeve të kryeministrit Rama për të mposhtur lirinë e fjalës në vend.
35 organizata të njohura botërisht (ndërmjet tyre komitetet e helsinkit të dhjetë vendeve) i bënë thirrje qeverisë shqiptare të tërheqë atë që tashmë njihet si paketa anti shpifje. Shtatë shoqatat më të njohura në mbrojtje të gazetarëve (Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit ( ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias në Europën Juglindore (SEEMO), e kanë etiketuar këtë projekt si hileqar dhe po e luftojnë atë prej mëse një viti.
Si rallë ndonjëherë më parë për ndonjë çështje, Edi Rama nuk ka pasur mundësinë të përdorë shprehjen e tij të preferuar: “Po të isha duke gabuar a do më lejonin partnerët e huaj”.
Këtë radhë, nisma e frymëzuar prej tij është fshikulluar ashpër edhe nga Këshilli i Europës, Komisioni Europian apo OSBE-ja, të cilat kanë hedhur poshtë njëzëri rregullimin e mediave nga pushteti ekzekutiv.
Po ti shtosh kësaj panorame edhe artikuj si ato që janë botuar në New York Times, apo emisione televizive si ato të RAI 3, mund të thuhet pa frikë se përballja me gazetarët përbën humbjen më të madhe që Rama ka pësuar ndërkombëtarisht në këto gjashtë vite pushtet.
Por megjithatë, cila do qoftë përmasa e saj, do të ishte sipërfaqësore, reduktuese dhe për pasojë e gënjeshtërt, që që kjo që po ndodh, të servirej si një përplasje e shefit të qeverisë me mediat.
Në këtë rast, cënimi i lirisë së fjalës dhe shprehjes është vetëm një efekt kolateral i një projekti më të madh: atij të vendosjes së një regjimi të pushtetit absolut të njëshit.
Në emër të këtij projketi, sot opozita është jashtë parlamentit, në emër të tij, pushteti lokal i përket i tëri një partie të vetme, në emër të tij, presidenti i republikës është në procedurë shkarkimi, në emër të tij, vendi është pa gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese, në emër të tij partia në pushtet nuk bën zgjedhje për kryetarin që prej një dekade.
Po ti shikosh këto aspekte veç e veç, mund të duket sikur gabimin e kanë pasur ata që i kanë kërkuar Ramës zgjedhje në një parti demokratike, sikur fajin e ka pasur opozita që i trembet garave elektorale, sikur mëkatar është Ilir Meta që nuk është në rregull nga trutë e kokës, sikur përgjegjës janë ndërkombëtarët që iniciuan së prapthi reformën në drejtësi, sikur kazan janë mediat që paguhen me para të pista.
Por, po ti mbledhësh një nga një copat e pazëllit e ke më të lehtë që të kuptosh tablonë e përgjithshme: kjo është beteja e një diktatori në tentativë për të shkatërruar çdo pengesë për pushtetin e tij absolut.
Prandaj dhe paraqitja e betejës së Ramës me gazetarët nuk ka kuptim po s’u pa në këtë shtrat dhe si efekt i këtij projekti ogurëzi. Sepse lufta e kryeminisrit nuk është ajo për ti mbyllur gojën disa “qenërve analistë”, por përpjekja për të lënë në errësirë shoqërinë, për krimet e tij.
Me shumë të drejtë, në emisionin e RAI 3: “Shqipëria, gojë të mbyllura”, Giuseppe Giulietti, presidenti i federatës kombëtare të shtypit Italian, theksoi se kjo nuk është një betejë kundër gazetarëve, por një luftë kundër informimit të qytetarëve (poshte).
Në këtë kuptim gjithçka që po ndodh këto ditë, i gjithë reagimi i shtypit vendas dhe i ndërkombëtarëve të solidarizuar me të është një luftë në barrikada mbrojtëse.
Një betejë për të ruajtur atë që na takon në një demokraci.
Ndërsa përballja reale duhet të jetë ajo mes shqiptarëve dhe një njeriu të vetëm që do ti nënshtrojë nën regjimin e tij personal.
Prandaj edhe nëse pas këtij presioni të pa imagjinueshëm ndërkombëtar, pas këtij reagimi që nuk do të jetë çudi ta rendisë Ramën, si Berishën e ’97, mes armiqve të lirisë së shtypit, kryeministri tërhiqet përkohësisht nga paketa anti – shpifje, askush nuk ka të drejtë të gëzohet përpara kohe.
Askush nuk mund të bëjë naivin për të brohoritur fitore.
Për sa kohë do të jetë në fuqi projekti i një regjimi personal që ka përparuar me hapa galopantë edhe gazetarët do të jenë njësoj të rrezikuar, ashtu si opozitarët, prokurorët, gjyqtarët apo qoftë edhe kreu i shtetit. Sepse ky nuk është një projekt për të mposhtur ndonjërin veçmas, por një flamë që nëse ia del, do na djegë të gjithëve së bashku. /Lapsi.al/