Anëtarësimi i Shqipërisë në Mekanizmin Mbrojtës të BE-së, Rama dorëzon kërkesën: Hap domethënës
Kryeministri Edi Rama i dorëzon komisionerit të BE për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič, kërkesën për të qenë pjesë e mekanizmit të BE-së për Mbrojtjen Civile. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama tha se ky është një hap domethënës.
“Falë komisionerit, ne kemi marrë ndihmë nga ky mekanizëm në përballjen me zjarret e rënda të vitit të shkuar, ku mjetet e rënda që u përdorën nga shtete si Holanda apo Çekia u përkisnin këtij mekanizmi. Europa këtë mekanizëm e ka ngritur për të përballur së bashku ndikimin e ndryshimit të klimës dhe pasojat e ndryshimit të klimës në mjedisin tonë. Jo vetëm kaq, por për të përballur bashkë krizat e rënda. Ky mekanizëm është në krye të përpjekjes për të garantuar mbështetje të madhe për Ukrainën. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë BE të mbrojtjes civile që funksionon me këtë mekanizëm është një hap domethënës dhe një lehtësim i madh për ne duke pasur parasysh nevojat që kemi. Nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë”.
Kurse komisioneri Lenercic theksoi se në të gjitha rastet Shqipëria është mbështetur te solidariteti i BE, ku përmendi edhe faktin që avionë nga Greqia erdhën për të shuar zjarret në Sazan.
”Tërmeti dhe zjarret në të dyja rastet me kërkesë nga pala shqiptare mekanizmi i BE u aktivizua menjëherë dhe u aktivizua dhe ndihmesa që u dha; si avionë nga Greqia për të shuar zjarret në Sazan. Në të gjitha rastet Shqipëria është mbështetur te solidariteti i BE. Kryeministri Rama më dorëzoi kërkesën zyrtare që Shqipëria të bëhet shtet pjesëmarrës i mbrojtjes civile të BE dhe unë e mbështes këtë objektiv tuajin dhe shpresoj që kjo dëshirë të bëhet realitet. Shqipëria të ketë mundësi të mbështetet te shtetet e tjera por edhe të tregojë solidaritet”.