Zyra e shtypit e presidentit maqedonas: Kryeministri Rama ishte sëmurë
Të shtunën dhe të dielën, presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Për vizita të tilla protokolli parashikon takime me gjithë drejtuesit e institucioneve të shtetit shqiptar, president, Kryetar Kuvendi dhe kryeministër. Dje në mediat e Tiranës u interpretua në shumë mënyra fakti që kryeministri Edi Rama nuk u takua me presidentin, Stevo Pendarovski. Sot zyra e shtypit të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka treguar arsyet e anulimit të takimit të presidentit me kryeministrin Edi Rama, dje në Tiranë.
Zyra e shtypit bën të ditur se për arsye shëndetësore, kryeminsitri Edi Rama nuk ka mundur që ta takojë Pendarovsktin, madje i ka kërkuar ndjesë këtij të fundit.
“Takimi u anulua me një marrëveshje të ndërsjellë midis protokolleve të dy zyrave, Kryeministri Rama dhe Presidenti Pendarovski. Arsyeja ishte se për shkak të çështjeve shëndetësore ajo u anulua dhe kryeministri Rama foli personalisht me Presidentin Pendarovski për të kërkuar falje që nuk mund të takohej. Ky është komenti ynë. Nuk kam detaje të mëtejshme”,– thuhet në përgjigjen e zyrës së shtypit.
Por një ditë me pas anulimit të takimit me presidentin maqedonas, kryeministri Rama ishte në konferencën e organizuar nga Anastas Angjeli.