Apeli i jep vulën, Alibeaj thirrje demokratëve: Ogur i mirë, por jo ditë triumfi. Të bashkohemi kundër Ramës
Pasi Gjykata e Apelit foli dhe i dha grupit të tij vulën, Enkelejd Alibeaj thotë se kjo e sotmja është një orgur i mirë për demokratët, edhe pse nënvizon se është ditë triumfi për askënd, por një moment për bashkim të të gjithë në betejën kundër qeverisjes Rama. ”Ftojmë të gjithë demokratët që të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe të jemi bashkë në përballjen e 14 Majit. Me kandidatët më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve”,-shkruan Alibeaj.
Reagimi i plotë
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit vjen si një ogur i mirë për demokratët, që prej më shumë se 1 viti po kalojnë një periudhë të vështirë.
Kjo është dita kur të gjithë ne, demokratët duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për tu përballur me regjimin e Edi Ramës dhe të lëmë mënjanë grindjet dhe mosmarrëveshjet mes nesh të shkaktuara nga mentaliteti i vjetëruar i politikës shqiptare.
Ftojmë të gjithë demokratët që të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe të jemi bashkë në përballjen e 14 Majit. Me kandidatët më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve.
Nuk është ditë triumfi për askënd. Është ditë reflektimi i thellë, për ato që kemi kaluar dhe për të përballuar të ardhmen, që nuk është e thjeshtë, por as e pamundur. Për tu dhënë shqiptarëve #ditë më të mira.