Arben Ahmetaj: Dorëhiqem nëse verifikohen akuzat e Lulit
Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, se Ahmetaj ka udhëtuar me çarterin e biznesmenit Suzer për në Turqi, lidhur me koncesionin e hidrocentralit të Skavicës. Përmes një reagimi në Facebook, Ahmetaj sqaron se është i gatshëm të japë dorëheqjen nëse vërtetohet se ai ka udhëtuar me çarter të ndonjë biznesmeni.
“Nëse unë kam udhëtuar me charter me ndonjë biznesmen, përfshirë Suzer, jam gati të jap dorëheqjen. Le ta verifikojë Basha. Por nëse kjo është gënjeshtër, ti Luli çfarë bën, je gati ta shkurtosh hundën?! Vazhdon kalvari i budallallëqeve të nxjerra nga goja e administratorit të opozitës. Kanë hapur luftë frontale kundër investitorëve të huaj sepse i tmerron zhvillimi ekonomik i vendit. Këta kanë interes të kundërt me rritjen ekonomike siç duket. Meqë nuk ndodhi siç parashikonin skenarin grek, tani preferojnë skenarin e Pinokut”, shkruan Ahmetaj në Facebook.
Kryetari i opozitës, Basha i kërkoi Ahmetajt që të tregonte sa herë ka udhëtuar me charter në Turqi.
“Peshkaqenit të bardhë Ahmetaj, Suzeri i ka sjellë çarter privat. I fshiu të dhënat e TIMS, por të dhënat e aviacionit nuk i fsheh dot. Sa herë ka udhëtuar me çarter në Turqi dhe kush ia ka paguar?”, pyeti Basha ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj.
KOHA JONË SONDAZH

