Arben Kraja: Vendimet e SPAK mund të vonojnë, por nuk kthehen më pas!
Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, Arben Kraja, foli për punën e bërë nga SPAK përgjatë këtyre dy viteve të veprimtarisë së këtij institucioni.
Në fjalën e tij, kreu i SPAK deklaroi se kanë ngritur laborator digjital ekspertimesh ndër më të mirët në rajon, me konfiskimet nga të ardhurat nga trafiku i drogës.
Më tej, Kraja deklaroi se vendimmarrja e SPAk mund të vonojë, por është e bazuar dhe nuk kthehet pas.
“Kemi arritur të ngremë një laborator digjital ekspertimesh ndër më të mirët në rajon, duke përdorur konfiskimet nga të ardhurat nga trafiku i drogës. Kemi vendosur ura bashkëpunimi me policinë, strukturat e SHISH, drejtorinë e pastrimit të parave, KLSH, Prokurorinë e Përgjithshme e shumë aktorë të tjerë. Kemi arritur të kemi akses në bazën e të dhënave të shtetit shqiptar. Kemi vendosur ura bashkëpunimi të forta me homologët tanë, kemi firmosur marrëveshje bashkëpunimi në rajon e më gjerë, dhe me shtetet e BE, duke konsoliduar raportet e duke qenë të sigurt se vetëm me këtë bashkëpunim mund të luftojmë krimin. Në këto dy vite edhe kemi punuar. Kemi pasur 891 procedime penale, kemi dërguar 432 të pandehur për gjykim, ku për mbi 200 kemi marrë vendim. Kemi konfiskuar 62 pasuri me një vlerë mbi 75 milionë euro. Kemi 143 letërporosi nga autoritetet e huaja, 85 prej të cilave janë ekzekutuar, si dhe 17 kërkesa për ekstradim. Më lejoni të them se vendimmarrja jonë mund të vonojë, por është e bazuar dhe nuk kthehet pas më”, u shpreh Kraja.